Hajnat ia msyjnë të vjedhin në Tyrben e Sheh Fetahit, dëmtojnë derën
Një rast tentimi për vjedhje të rëndë është raportuar mëngjesin e së premtes në qytetin e Gjakovës, në rrugën “Gasper Karaqi”, ku shënjestër e sulmit ishte Tyrbja e Sheh Fetahit – një objekt fetar me vlerë historike dhe shpirtërore për qytetin, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Sipas informatave të siguruara, rreth orës 08:00, persona të panjohur kanë tentuar të depërtojnë brenda tyrbes, duke dëmtuar derën hyrëse, por nuk kanë arritur të hyjnë brenda. Ankuesi L. Shehu, i cili shërben si mbikëqyrës i objektit, ka raportuar se nuk mungon asgjë nga brendësia e tyrbes, ndërsa vlera e dëmit të shkaktuar në derë është rreth 100 euro.

Në vendngjarje kanë dalë njësitë relevante të Policisë së Kosovës, përfshirë Krim-Teknikën dhe Hetuesit e Njësisë së Krimeve të Përgjithshme, të cilët kanë bërë ekspertizën fillestare dhe kanë marrë prova për identifikimin e autorëve.

Pas konsultimit me Prokurorin Kujdestar, rasti është cilësuar si “Vjedhje e rëndë në tentativë”, ndërsa hetimet janë në zhvillim për të zbardhur identitetin e personave të përfshirë dhe motivin e këtij veprimi të dyshuar penal.

