Hajnat shfrytëzojnë iftarin, grabitin mbi 40 mijë euro e stoli ari në Pejë, pronari qëllon me armë nga distanca
Një rast i rëndë “Vjedhje e rëndë” ka ndodhur mbrëmjen e 1 marsit 2026 rreth orës 18:30 në rrugën “KFOR” në Pejë, ku dy persona të maskuar kanë depërtuar në një shtëpi dhe kanë marrë para të gatshme dhe stoli ari me vlerë të konsiderueshme.
Sipas informacioneve, pronari i shtëpisë kishte qenë mysafir për iftar tek të afërmit, ndërsa të dyshuarit, duke shfrytëzuar një palë shkallë metalike, kanë hipur në tarracë dhe përmes ballkonit kanë hyrë brenda në shtëpi.

Nga aty dyshohet se janë vjedhur rreth 20.000 euro para të gatshme dhe stoli ari me vlerë nga 15.000 deri në 20.000 euro, raporton Sinjali.
Kur ankuesi është kthyer në shtëpi dhe ka vërejtur personat duke u larguar në drejtim të lagjes, ai ka hyrë brenda, ka marrë pistoletën që e posedonte me leje dhe, sipas deklarimit të tij, ka shtënë në ajër për t’i frikësuar të dyshuarit.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e hetimeve dhe krim-teknika e stacionit, si dhe SRH me krim-teknikun përkatës. Arma e përdorur nga ankuesi është sekuestruar nga policia.

Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj personave të panjohur të iniciohet procedurë hetimore për veprën penale “Vjedhje e rëndë”, ndërsa ndaj ankuesit, Z. H (41-vjeçar), është iniciuar procedurë për veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.
Denoncuesi është intervistuar dhe, me urdhër të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.
Policia është duke punuar për identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar për vjedhjen e rëndë, ndërsa hetimet janë në vazhdim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
