Hajnat thyejnë veturën e të rinjve te qendra e skijimit në Brezovicë, vjedhin mbi 20 mijë euro
Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet e grabitjet e armatosura. Cak i hajnave jo rrallëherë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë veturat, siç ndodhi gjatë ditës së djeshme te qendra e skijimit në Brezvovicë, raporton Gazeta Sinjali.
Tre të rinj, shtetas të Shqipërisë kërkuan ndihmën e Policisë pasdite dhe raportuan se nga vetura e tyre është vjedhur një çantë me para të gatshme.
Sinjali mëson se bazuar në dëshminë e tyre, vetura është hapur me forcë dhe janë vjedhur mbi 20 mijë euro, si dhe mijëra lek shqiptare.
Si rezultat i denoncimit të rastit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave dhe në identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.
P. S Fotoilustrim