12-04-2025

Hakerët ‘gjunjëzojnë’ Kosovën – paralajmërohet valë e re e sulmeve kibernetike nga Rusia

Për tre ditë rresht, Kosova ka qenë objekt i sulmeve kibernetike të koordinuara, të cilat dyshohet se vijnë nga grupe hakerësh me lidhje me Rusinë dhe me mbështetje të mundshme nga shteti rus.

Sulmet kanë prekur një numër të madh institucioni shtetëror dhe organizatash, duke përfshirë faqen zyrtare të Kryeministrit, ministritë, Aeroportin e Prishtinës dhe platforma të tjera të rëndësishme publike.

Studiuesi i sigurisë kibernetike, Halil Berisha, ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se këto sulme lidhen drejtpërdrejt me qëndrimin politik të Kosovës ndaj luftës në Ukrainë. Sipas tij, arsyeja e sulmeve është mbështetja ushtarake që Kosova i ofron Ukrainës.

“Arsye për këtë është përkrahja ushtarake që ia bën Kosova Ukrainës,” theksoi Berisha.

Ai e ka cilësuar natyrën e sulmeve si të qartë dhe të identifikueshme. “Sipas të gjitha shenjave, sulmi është DDoS dhe të dhënat janë të sigurta,” shtoi ai, duke shpjeguar se ky lloj sulmi mbingarkon faqet e internetit duke krijuar një numër shumë të madh vizitash në të njëjtën kohë, duke i bërë ato të pamundura për t’u mbajtur.

Postimi i plotë:

Kosova qe tre ditë po përballet me sulme prej Rusisë!

Grupe hakerësh me origjinë ruse, por që dyshohet edhe me përkrahje të shtetit rus, kanë sulmuar webfaqet e shumë institucioneve të Kosovës.

Prej faqes së kryeministrit, ministrive, aeroportit, por edhe organizatave të ndryshme.

Arsye për këtë është “përkrahja ushtarake që ia bën Kosova Ukrainës”.

Shumica e webfaqeve të sulmuara tash janë rikthyer dhe funksionojnë pa problem.

Sipas të gjitha shenjave, sulmi është DDoS dhe të dhënat janë të sigurta.

Ky sulm çon vizita në numër aq të madh njëkohësisht sa që webfaqet nuk mund t’i përballojnë.

Institucionet e Kosovës kanë reaguar në mënyrë shumë të shpejtë dhe kanë mbrojtur infrastrukturën ndaj këtyre sulmeve ruse!

Kjo dëshmon që Kosova ka kapacitete njerëzore që duhet të merren seriozisht në këtë punë. Reagimi ndaj sulmeve (ani se ka ende faqe që janë offline) ka qenë i shpejtë për t’u mbrojtur, mirëpo në aspektin e parandalimit të këtyre sulmeve nevojitet punë edhe më e madhe.

Këto sulme duhet të japin informatat e nevojshme për këtë punë.

Gjithashtu, këto grupe ruse janë duke u përgatitur për një valë të re sulmesh, ku mund të përfshihen edhe kompanitë, kështu që për mbrojtje duhet të fillohen përgatitjet nga secili institucion, agjenci, kompani e organizatë!

Asnjë koment

Comments are closed.