24-11-2024

Hamami i Prizrenit, historia dhe monumenti që nuk duhet mbyllur me çelës

Po shkove në Prizren, duhet ta vizitosh patjetër Hamamin e Prizrenit. Edhe po nuk e pate plan, nisu.

Kjo vetëm nëse ke fat që Hamamin ta gjesh me dyert hapur, ose nëse ke mundësi të marrësh çelësat prej personave të cilët i posedojnë. Në të kundërtën, udhëtimi në Prizren do të bëhet pa një vizitë në Hamamin e Gazi Mehmed Pashës, një monument i bukur nga brenda e jashtë që meriton më shumë vëmendje.

Hamami i Gazi Mehmed Pashës gjendet në qendër të qytetit në Prizren, pranë Xhamisë së Kukli-Mehmed Beut dhe Xhamisë së Emin Pashës. Është ndërtuar në vitin 1563-74, nga Gazi Mehmed Pasha, Sanxhakbej i Shkodrës më 1573-74.

Në portën kryesore është vendosur pllaka me mbishkrimin (1833) – e cila tregon datën e restaurimit të Hamamit nga ana e vëllezërve Tahir dhe Mehmed Pashë Rrotulli.

Burimi: QRTK Prizren
Burimi: QRTK Prizren

Ta lëmë retrospektivën, që t’i kthehemi më vonë.

I afrohesh afër këtij Hamami, i sillesh përreth, është i bukur dhe estetikisht të relakson. Ndoshta të bëhet e pamundur hyrja në oborrin e Hamamit, e më pas edhe në brendësi, dhe kjo të bën të ndihesh keq. Është e tmerrshme se si ky Hamam sot nuk gjen një përdorim dhe destinim të ditëpërditshëm. Unë shkoj vet dhe nuk mund të hyj brenda, njëjtë sikur edhe ndonjë turist i rastësishëm në Prizren që dëshiron ta përjetojë emocionin e brendësisë së Hamamit. Shumë prej nesh dëshirojnë të kuptojnë se çfarë është Hamami, cili është sot Hamami dhe si u lanë e pastruan dikur meshkujt e femrat brenda kësaj ‘saune’ të kohës, një banjo publike ku njerëzit relaksoheshin, pinin, djersiteshin, shkëmbenin buzëqeshje, lodheshin pas punës e para saj.

Edi Gashi, një djalë i ri që ka jetuar pjesën më të madhe të jetës së tij në Prizren, ka një lidhje të veçantë me objektin që nuk i ikë syrit të atij a asaj që e viziton Prizrenin.

“Si fëmijë gjithmonë e kam pasë andërr me hy brenda edhe me eksploru çka fshehë ai objekt i madh e misterioz në mes të qytetit, po fatkeqësisht nuk ka qenë i qasshëm ose të paktën nuk ka pasë ngjarje në të cilat unë mund të merrja pjesë si fëmijë. E tash, në këtë moshë duke qenë i vetëdijshëm për vlerat historike e kulturore që i ka Hamami i Prizrenit, dhe faktin që organizimet e vetme që ndodhin në të janë ato kulturore, ai gjithmonë më asocion me artin, me diçka të re e të bukur” tregon Edi.

Hamami i Prizrenit është i llojit “çifte hamam” që është përdorur nga të dy gjinitë në të njëjtën kohë.

Burimi: Amir Emini / Facebook
Burimi: Amir Emini / Facebook

Pjesa e hamamit për meshkuj është pak më e madhe se pjesa tjetër për femra. Hamami ka të gjitha hapësirat që kanë hamamet e këtij lloji, pra përbëhet prej pjesës hyrëse; pjesa për pritje si dhe për pije, pjesës së garderobës, pjesës qendrore ku bëhej larja, djersitja, dëfrimi si dhe pjesës së kaldatores që gjendet në pjesën jugore të objektit. Hamami është ndërtuar nga gurë të ndryshëm në kombinim me tulla, sipas të dhënave të Databazës së Trashëgimisë Kulturore të Kosovës e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Kosovës.

****

Ramadani, një burrë rreth të 70-tave, i sillet përreth Hamamit të Prizrenit derisa nuk e di as vetë me siguri se çfarë mendon kur e sheh këtë objekt, në një të shtune prizrenase.

“E mbaj mend shumë moti, dikur ka qenë ma i hapun se tash. Viteve të fundit jam plakë dhe nuk sillem fort larg shtëpisë. E kam shtëpinë afër Hamamit, as 5 minuta larg. Vij këtu, qef kom me u ulë dikah me pushu, oborrin e kanë të mirë. Po çka ndodhë mrena, a jashtë, kurrë se di” tregon Ramadani.

Hamamet gjatë Perandorisë Osmane kanë luajtur një rol të rëndësishëm.

Në aspektin arkitektonik, ka qenë si pjesë e pandashme e zonës urbane. Gjithmonë gjatë konstruktimit të një qyteti në Perandorinë Osmane, hamami ka qenë një prej objekteve kryesore të bërthamës së qytetit, duke përfshirë xhaminë, shkolla- mejtepin, medresenë, bibliotekën, imaretin-kuzhinën popullore, hanin-bujtinën, shatërvanin, dyqanet, pazarin e spitalin.

Kështu na tregon Valon Shkodra, hulumtues i pavarur shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës.

Valoni tregon se gjatë pastrimit në Hamam dhe Hamamxhik, për mbathje i kanë përdorur nallanet të cilat kanë qenë të punuara nga druri me zbukurime të sedefit që është i ardhur nga vendet e tjera. Nallanet kanë qenë të dekoruara edhe me filigran. Dekorime të këtilla kanë treguar për statusin social të kohës, sidomos te gjinia femërore.

“Hamami apo banjoja osmane ka zënë një vend të veçantë në jetën shoqërore, ka pasur rolin e higjienës dhe pastërtisë në jetën e përditshme të qytetarëve – kjo është lidhë edhe me fenë islame ku pastërtia është primare. Ka qenë i hapur çdo ditë, ka pasur mbikëqyrje të punonjësve, larja e trupit është bërë me sapun, hyrja ka qenë me pagesë. Edhe sot kujtohen disa fjalë që lidhen me hamamin si p.sh ‘’nuk nxehet hamami me fjalë po me pare’’, ‘’e paske ba dhomën nxet si hamam me kon’’, ‘’shko në ham’’ e të tjera” thotë Valon Shkodra.

Sot, muret e Hamamit të Prizrenit të bukur kanë një trashësi rreth 90 cm, të suvatuara nga ana e brendshme.

Pullazi i objektit ka dy kupola të ndërtuara mbi tambure, në pjesën e ftohtë (pritja) dhe nëntë kupola të vogla që janë mbi pjesën e ngrohtë të Hamamit. Deri në vitet 1964 Hamami ka qenë i rrethuar me lokale me ç’rast bëhet rrënimi i lokaleve dhe fillojnë punët restauruese-konservuese.

E prej vitit 2000, Hamami hapet vetëm për ngjarje të ndryshme kulturore dhe artistike, me pjesën tjetër të kohës i mbyllur në tërësi. Kjo po i pengon jo vetëm një pale, por goxha disa të tillave.

Florina Jerliu, profesoreshë e ërkitekturës në Universitetin e Prishtinës, tregon se Hamami i Prizrenit njëjtë sikur edhe Hamamet tjera në Kosovë – mendohet të jenë gjashtë të tilla, nuk e ka ruajtur destinimin praprak por as nuk ka gjetur një destinim tjetër.

“Gjeneratat e reja sot por edhe gjeneratat e mesme nuk e kanë idenë se si ka funskionuar Hamami dhe çka ka ndodhur aty. Krejt çka dimë është se kush e ka ndërtuar dhe kur është ndërtuar, plus ndërhyrjet dhe renovimet që kanë ndodhur. E mos të harrojmë që këto Hamame janë copëza të rëndësishme të kujtesës, derisa ne po përpiqemi me e kriju një narrativ i cili është përçundu dhe tjetërsu në shumicën e rasteve në kohën e komunizmit” tregon Jerliu, e cila edhe ka marrë çmim për veprën e saj shkencore “Trashëgiimia kulturore e Kosovës – konceptet dhe kontekstet e mbrojtjes”.

“Nuk është mbrojtje nëse një objekt futet në çelës, dhe shembulli më i mirë ilustrues për këtë është Hamami i Prizrenit. Është mbrojtje e një objekti kur nuk e ke vdekur, kur është trashëgimi që jeton, dhe Hamami ka qenë i tillë. Duhet ta kuptojmë se sa më rrallë ndodhin ngjarje aty, aq më rrallë edhe njerëzit do të shkojnë te Hamami, sepse asgjë më nuk i dërgon deri atje. Sot njerëzit shkojnë në Turqi ta përcjetojnë Hamamin si tërësi, kur diçka e tillë do të mund të bëhej edhe këtu” tregon Florina Jerliu.

****

Ja çka na tregon Nora Arapi.

Ekziston një tregim (legjendë) që lidhet me ndërtimin e Hamamit si rrjedhojë e një “bisede” mes Gazi Mehmed Pashës dhe një punëtori, gjatë ndërtimit të xhamisë së vet. Për shkak të “pa pastërtisë” (xhunub) të këtij punëtori që ka refuzuar të punojë në ndërtimin e xhamisë, Mehmed Pasha i ndërprenë punimet e xhamisë dhe urdhëron ndërtimin e hamamit.

Fotografi nga Arbër Selmani / Prizren, maj 2019
Fotografi nga Arbër Selmani / Prizren, maj 2019

‘Duke qenë i vendosur në qendër të qytetit, në një pozicion të volitshëm, Hamami është njëra prej pikave referente për vizitorët e Prizrenit, qoftë për turistë të zakonshëm por edhe për studentë dhe studiues që e vizitojnë Prizrenin. Hamami padyshim e begaton mozaikun e monumenteve të trashëgimisë kulturore dhe e bën më të dëshirueshëm dhe të larmishëm qytetin e Prizrenit për turistët” tregon Nora Arapi – arkitekte konservatore në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren.

“Secila përvojë e imja në hapësirën e Hamamit ka qenë e ndryshme dhe më e bukur se tjetra. Aty janë ekspozuar vepra prej ma të ndryshmeve të artistëve vendorë e botërorë, evente të karaktereve të ndryshme, kanë qenë momente në të cilat jam ballafaqu me krijimin dhe të bukurën. Secilën herë kam dalë prej aty i mahnitun e me ndjesi të çudtishme të bukura”, në anën tjetër thotë Edi Gashi.

Në këtë Hamam ndër vite kanë ndodhur plot ngjarje të cilat megjithatë e kanë sjellë në jetë Hamamin dhe mishërimin brenda tij.

Fotografi nga Arbër Selmani / Prizren, maj 2019

Në dhjetor të vitit 2017-të, Kori “Nexhmije Pagarusha” vallëzoi bashkë me fëmijët me Sindromin Daun në këtë monument. Festivali DokuFest, një tjetër arsye për të udhëtuar drejt Prizrenit veror, gati çdo vit mbanë ngjarje dhe debate të ndryshme brenda hapësirave të këtij Hamami. Në vitin 2018-të, artisti Arbnor Morina brenda Hamamit hapi ekspozitën e tij personale e cila pati edhe vizita nga grupe të ndryshme prej Gjermanisë, Ukrainës, Irlandës, Bosnjës, Serbisë, Malit të Zi e Maqedonisë.

Katër vajzat e kolektivit artistik HAVEIT, në gusht të vitit 2017-të performuan brenda Hamamit në kuadër të edicionit të parë të Autostrada Biennale.

Pra janë 1 mijë e 1 arsye që ky Hamam të mos mbyllet, të mbetet i hapur, meqë renditet si një prej atraksioneve kryesore turistike në Kosovë.

“Ky hamam dikur ka qenë shumë i njohur së bashku me hamamin e Shkupit dhe të Sarajevës” tregon Valon Shkodra.

****

“Hamami ka pasur shumë dimensione, përpos atij utilitar, ka pasur edhe dimensionin fantastik publik. Hamami ka qenë hapësirë publike – si qendër kulturore dhe e vetmja mënyrë e largimit prej përditshmërisë, madje edhe për gratë të cilat nuk kanë dalë në kafe në çarshi, por janë socializuar në Hamam. Aty ka qenë vendi ku ti del dhe relaksohesh, një hapësirë sociale jashtëzakonisht e rastësishme, ekuivalente madje edhe me klubet e lordëve të Londrës. Sot në Kosovë ti ke dyqane të vogla për estetikë por nuk e ke asnjë hapësirë të tipit të Hamamit, edhepse e ke infrastrukturën për një shërbim të tillë. Së paku kishte qenë mirë sot me e përjetu ceremoninë e Hamamit të vërtetë” na shpjegon Florina Jerliu.

Veron Tara, arkitekt i cili merret me restaurime të trashëgimisë kulturore ndërtimore, anëtar i Këshillit të Trashëgimisë Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit dhe qershia mbi tortë – qytetar i Prizrenit, tregon se është në shpirtin e gjithsecilit në Prizren që ky Hamam të jetë më i hapur, më i qasshëm. Me Veronin duam të futemi brenda në Hamam, po në një të shtunë kjo nuk na lejohet. Megjithatë flasim pa e përjetuar në mishin tonë, Hamamin.

“Ende nuk e ka marrë statusin si muze, sepse në këtë rast do të duheshin zyre, administratë, banjo. Nëse e bon Muze, duhesh me ditë çka me ekspozu. Në këtë Hamam duhen me qenë dy persona që e mbajnë hapur çdo ditë, sepse Hamami është kudo nëpër broshura dhe turistët zhgënjehen kur vijnë këtu dhe nuk mund të futen në Hamam. Është njëjtë si me shku në Kullën e Ajfellit dhe me e gjetë të mbyllur” na shpjegon Veroni.

Veroni propozon që kjo hapësirë të kthehet në një librari, në një muze, më bibliotekë, në një Institut, në një vend që ka funksion, ashtu siç ka ndodhur me ridestinimin e shumë hapësirave simotra të kësaj nëpër botë. Një kafe për turistët, në oborrin e Hamamit, në një kënd diku afër do të ishte ide e mirë poashtu.

***

Duke lënë anash rëndësinë e këtij objekti, në pjesën e punimeve e restaurimeve brenda tij ekziston një dramë.

Projekti i restaurimit të Hamamit është hartuar nga ekipi i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ku kanë qenë të përfshirë edhe ekspertë ndërkombëtarë të fushës së tipologjisë së ndërtimeve publike nga Periudha Osmane.

Ky projekt ka filluar të implementohet në disa faza, ku fillimisht me financim të UNESCO-s zyra regjionale për Ballkan, janë kryer ndërhyrjet restauruese në pjesën e kupolave dhe kulmit. Gjatë kësaj fazë është bërë edhe rindërtimi i disa kupolave, të cilët kanë qenë në gjendje shumë të keqe fizike. Dhe këto kupola janë suvatuar nga jashtë, me rekomandim të ekspertit ndërkombëtar të kyçur në projekt, me materiale kompatibile me teknikën tradicionale të ndërtimit.

Më pas ndërhyrjet restauruese në muret e jashtme dhe vendosja e xhamave në kupola është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Këto na i tregon Nora Arapi.

Valon Xhabali nga Ec Ma Ndryshe thotë se institucionet përgjegjëse qendrore e lokale duhet ta vendosin në prioritet finalizimin e punimeve.

Burimi: QRTK Prizren
Burimi: QRTK Prizren

“Në vitin 2015 është hartuar plani i menaxhimit për Hamamin mirëpo prej asaj kohe nuk ka filluar së zbatuari prandaj duke pasur parasysh që ka kaluar një kohë e gjatë mendojmë qe duhet të rishikohet/rishkruhet (nëse ka nevojë) ky plan dhe të fillojë së zbatuari sepse duke zbatuar planin e menaxhimit edhe monumenti / Hamami i Gazi Mehmed Pashës në Prizren funksionalizohet në mënyren e duhur” thotë Xhabali.

“Në këtë periudhë mund të themi që Hamami është në gjendje të mirë, ku rreziku nga dëmtimet atmosferike është mënjanuar. Edhe në aspektin statik, muret, kupolat dhe kulmi janë rehabilituar dhe janë të qëndrueshme. Për të përfunduar punimet, nëvojitet të implementohen edhe ndërhyrjet në enterier dhe oborr të ndërtesës. Finalizimi i punimeve, me mjetet që do të ndahen nga MKRS, do të mundëson funksionalizim e plotë të këtij monumenti” thotë Nora Arapi nga QRTK Prizren.

Nuk guxohet as të mendohet se drama e restaurimeve dhe vonesave mund të ketë një episod tjetër të papritur.

“Nëse prishet Hamami, njerëzit kanë me u ndi keq sepse është pikë reference – ku je? Jam te Hamami. Kisha e xhamia ke me bollëk kudo, por Hamamet janë më të rralla sepse janë ndërtu në qytete në tranzicion dhe qytete si pika qëndrore, e Prizreni dihet që ka qenë i tillë. Për mua, po të prishet Hamami shktarrëohet një kulturë e tërë” përfundon Veron Tara.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në anën tjetër, para pak ditësh ka nënshkruar 10 memorandume me Komunën e Prizrenit, në vlerë totale prej 3 milion e 670 mijë euro. Në mesin e projekteve kulturore ku do të invesohet nuk figuron një ndihmë për këtë Hamam.

Deri në hapin tjetër institucional, na mbetet të eksplorojmë historinë e të kujtojmë se si janë pastruar e larë njerëzit në të gjithë këto Hamame, prej atij në Prishtinë e deri te ky në Prizren. Ndoshta do të na duhet më shumë pastrim edhe neve sot, njerëzve të këtij shekulli, për qetësinë dhe bardhësinë e trupave e shpirtrave njerëzorë, edhe jashtë Hamameve./ Arbër Selmani

Asnjë koment

Comments are closed.