27-11-2024

Hapat e BE-së dhe populli i Kosovës

Nga Ismail Qabrati

Nuk jam analist dhe as që pretendoj të shfaqem si tillë nëpërmjet këtij shkrimi, por rrethanat nëpër të cilat po kalon shoqëria kosovare, domosdoshmërisht të bëjnë ta ndiesh veten të tillë.

Dje u publikuan plot lajme nëpër mediet tona se BE-ja na paskësh marrë edhe një vendim, i cili na drejtuaka drejt lëvizjes së lirë në “tokën e premtuar”. Ky lajm më bëri më trim siç do të shprehej Noli ynë.

Tash politikanët tanë do t’i përvjelin llërët e do t’i “pushtojnë” studiot televevize, duke u krekosur se kujt i takjonë meritat për ta nxjerrë jashtë “getos” rininë kosovare. Sa më dhimbsen mjeranët politikë! Ndiej keqardhje edhe për pritshmëritë e larta që kanë të rinjtë e vendit tonë për heqjen e vizave.

Lërmëni të lundroj fare pak në antikitetin grek e t’ju kujtoj përgjigjen që e dha Sokrati kur e pyeten se ti a je grek apo athinas dhe ai u përgjigj: “Unë jam qytetar i botës së lirë”.
Pothuaje të njëtën pyetje ia bënë dhe Getes në Gjermani gjatë shek. XVIII dhe përgjigjja e tij ishte pothuajse e njëjtë me filozofinë sokraktike. Por që të dy duhet ta dini se asnjëherë nuk i braktisën vendet e origjinës, as Sokrati Greqinë antike edhe pse këtë e helmuan e as Gete Gjermaninë. Në një rrafsh filozofik edhe pse ata të dy ndiheshin “qytetarë të botës së lirë”, në qeniet e tyre ata e ruajtën ndjenjën e patriotizmit dhe atdhedashurisë.

Të dashur të rinj e të reja të vendit tim, siç mund ta shihin edhe nga fotografia, juve ju kanë mbetur edhe tre hapa breshke për t’u bërë qytetarë të botës së lirë, por dijeni që shija dhe vlera e lirisë, ndihen e shijohen më shumë se kudo në vendin tonë, andaj ju do të lundroni në këtë botë të lirë, të cilën që sa vjet po e prisni, por ky lundrim do t’jua varfërojë shpirtin dhe do të bindeni se liria e vërtetë shijohet vetëm brenda cepave të atdheut.

P.S.
Shkrimet e opinioneve janë shprehje e mendimit të lirë, dhe jo domosdoshmërisht përfaqësojnë edhe qëndrimin e portalit “GazetaePrizrenit.net”.

Asnjë koment

Comments are closed.