24-11-2024

Hapen qendrat, nis votimi në Prizren

Përjashtuar ndonjë parregullsi të vogël teknike, procesi zgjedhor në komunën e Prizrenit nisi normalisht, duke ua mundësuar 173.556 votuesve me të drejtë vote, ta shprehin vullnetin e tyre politik.

Nysret Bytyqi, zyrtar i lartë në Komisionin Komuna Zgjedhor, konfirmoi për portalin “GazetaePrizrenit.net” se materiali i ndjeshëm është shpërndarë me kohë në qendrat votuese, ndërsa sipas informacioneve nga terreni, vendvotimet janë hapur me kohë.

Në komunën e Prizrenit janë paraparë të hapen 222 vendvotime apo tri më shumë se në zgjedhjet e fundit.

Referuar këtyre shifrave nga Komisioni komunal zgjedhor (KKZ) del se kësaj radhe janë 4.672 votues të rinj, të cilët pasi kanë mbushur moshën 18 vjeçare , kanë të drejtë për të votuar.

Disa nga prizrenasit që zgjodhën momentet e para të hapjes së vendvotimeve për të kryer obligimin qytetar, e që ishin kryesisht personel i angazhuar në procesin zgjedhor dhe të moshuar, thanë për Gazetën e Prizrenit se pas zgjedhjeve, nga qeveria e re presin një perspektive më të mirë ekonomike, duke hapur vende pune dhe ngritje të standardit.

Për mbikëqyrjen e procesit zgjedhor, në mënyrë të drejtpërdrejtë në vendvotime është angazhuar një numër i pjesëtarëve të policisë, si dhe i monitoruesve të pavarur, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Ndryshe janë mbi 45 kandidatë nga komuna e Prizrenit, që pretendojnë të jenë pjesë e përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës.

Në garën parazgjedhore, përveç subjekteve të shumicës shqiptare,  ata janë futur edhe përmes subjekteve të ndryshme minoritare, përfshirë ato turke, boshnjake dhe të komunitetit RAE.

Derisa në këto gara së paku nga popullata shumicë shqiptare, askush nuk ka marrë të guximin të garojë si i pavarur, në Prizren këtë e ka bërë Esmir Kasi, pjesëtar nga komuniteti boshnjak./GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.