Hapet ekspozita “Hasjania” në Prizren
Falë mbështetjes së Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sonte në mjediset e Hamamit të “Gazi Mehmet Pashës” në Prizren u hap ekspozita personale “Hasjania” e Luan Mulliqit, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Gashi me këtë rast u shpreh se në ditën më të rëndësishme të arsimit shqip, më 7 mars po hapin këtë ekspozitë.
“Ju do të thonit se çfarë lidhje ka 7 marsi me hasjanët, unë do të shtoja se mësuesi i shkrimtarëve të parë shqiptarë ishte Pal Hasi, nga i cili kishin mësuar Gjon Buzuku e Pjetër Budi, për të vazhduar më pas me Pjetër Bogdanin e Pjetër Mazrrekun, që gjithashtu janë nga Hasi i Skënderbeut. Andaj edhe unë u lumturova kur dëgjova për këtë ekspozitë dhe me kënaqësi e pranova që të jetë nën organizim të Ministrisë për Kulturë Sport dhe Rini”, u shpreh ministri.
Ministri foli edhe për artistin Luan Mulliqi, me ç’rast vlerësoi se prezenca e tij e nderon qytetin e Prizrenit. Ai tha se akademik Mulliqi ka realizuar ekspozita personale në vende të ndryshme të botës si dhe në hapësirën mbarëshqiptare, e tani këtë radhë vjen edhe në Prizren, në qytetin shpirtëror të shqiptarëve, edhe javë më parë MKRS-ja ka hapur zyrat e saj.
“E veçanta e kësaj ekspozite është shpalosja me përpikëri e veshjes së femrave hasjane, që pa dyshim është një ndër veshjet më unikale dhe të veçanta jo vetëm në vend, por edhe më gjerë. Ndaj, pikërisht kjo veçanti dhe vlerë e trashëgimisë së veshjeve hasjane, e frymëzoi skulptorin Mulliqi, që të skulpturojë për disa vite 40 skulptura”, sqaroi ministri Gashi në fjalën e tij, duke e konsideruar se artisti ynë pos vlerave etnografike në skulpturën e tij gdhend edhe legjendat e njohura për këtë veshje.
Skulpturat që u paraqitën në këtë ekspozitë janë të punuara nga mermeri, bronzi, druri, alumini, magoni e materiale të tjera, klasike e modern dhe përmes saj synohet të dëshmohet se trashëgimia jonë kulturore duhet të pasqyrohet sa më shumë brenda dhe jashtë vendit.
Mulliqi fillimin e kësaj ekspozite e kishte nisur 34 vjet më parë, ndërsa ekspozoi 40 punimet e tij.
Ministri Gashi tha se nuk do të mungojë përkrahja si institucione, sepse trashëgimia kulturore e jona është pasaporta që dëshmon për lashtësinë, vlerat artistike dhe njerëzore të shqiptarëve në Evropë dhe në botë.
Ndërsa akademik Mulliqi shprehu falënderimin e tij për mundësinë e dhënë që veprat e tij artistike të kenë mundësinë të shfaqen në qytetin që është vatër e kulturës shqiptare./GazetaePrizrenit.net