Haradinaj e Rama zotohen për heqjen e taksave, roamingut dhe unifikimin e doganave
Kosova dhe Shqipëria janë pajtuar që brenda gjashtë muajve të unifikojnë doganat, të heqin tarifën e roamingut në kuadër të telekomunikimt si dhe të heqin tarifat doganore.
Këto ishin vetëm disa nga vendimet që u konfirmuan me nënshkrimin e nëntë marrëveshjeve dhe protokolleve në kuadër të mbledhjes së përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë të mbajtur sot në Pejë.
Aty, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama thanë se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve është më se i domosdoshëm.
Kryeministri Haradinaj tha se qytetarët në Kosovë e Shqipëri presin edhe më shumë nga të dy qeveritë, por këtë nënshkrim marrëveshjesh ai tha se e sheh si fillim të konkretizimit të prioriteteve të kahershme nga të dyja palët.
“Ajo që e shquan Kosovën është rreshtimi me SHBA-në si një faktor prijës global dhe me aleatët tanë strategjik. Shqipëria çdo herë ka mund të llogaritë në Kosovën dhe çdo herë ka të drejtë të llogaritë në Kosovën, por edhe Kosova çdo herë ka llogaritë në Shqipërinë dhe kjo është dëshmuar edhe në vitin 1999, në ditët më të vështira të jetës sonë si komb”, tha Haradinaj, raporton rel.
Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se vendosja e taksës doganore në shifrën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, sipas kryeministrit Edi Rama ishte reagim ndaj padrejtësive që i bëhen Kosovës, shpesh herë edhe me mbështetjen e vendeve të ndryshme evropiane.
Përderisa i dha mbështetje tarifës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë, Rama tha se brenda një kohe të shkurtë, Kosova dhe Shqipëria do të kenë tarifa zero si dhe unifikim të plotë të doganave.
“Sot është koha për të vënë tarifa 100 për qind në veri dhe për të pasur tarifa zero në jug të Kosovës. Së dyti, duhet të shkojmë drejt bashkimit doganor, transit më 1 janar në Portin e Durrësit për Kosovën dhe hapat e tjerë brenda gjashtë mujorit të ardhshëm drejt bashkimit doganor. Kush e konsideron këtë si kërcënim, qoftë në Beograd apo Bruksel është i mirëpritur të vij, të ulet në tavolinë e t’ia shpjegojmë se nuk është kërcënim por është një ftesë që të gjithë të tjerët të marrin shembull nga ky bashkëpunim dhe Serbia e para të ndjek shembullin e këtij bashkëpunimi”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama kërkoi që Prishtina dhe Tirana të krijojnë një fond të përbashkët për funksionimin e politikës së jashtme, e cila do të ndihmonte integrimin e të dy shteteve në Bashkimin Evropian, deri në vitin 2025.
Ndryshe, ky është takimi i pestë i përbashkët i të dy qeverive. Herën e parë ato mbajtën takim të përbashkët në Prizren, në vitin 2014, ndërsa një vit më pas, në Tiranë është mbajtur takimi i dytë. Takimi i tretë në Prishtinë, kurse vitin e kaluar është mbajtur në qytetin e Korçës në Shqipëri.
Rama: Shqipëria është e interesuar në sukses të Kosovës
Kryeministri i Shqipërisë në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive shqiptare, ka thënë se frenezia me të cilën Serbia po e bllokon Kosovën në instanca rajonale e ndërkombëtare e deri te kurajo e pa shpjegueshme për të kërkuar tërheqjen e njohjeve të Kosovës si republikë, nuk është thjesht shqetësuese, është sfiduese deri në dekurajimin e procesit të vet dialogut dhe është provokuese deri në nevojën për reagime proporcional.
Rama ka deklaruar se i mirëpresin të gjitha dinamikat dy palësh dhe shumëpalësh që çojnë drejt plotësimit kuadrin e gjymtuar të sovranitetit e Republikës së Kosovës dhe lëvizjes së lirë dhe kjo është që kanë qenë dhe mbeten të zhgënjyer nga qasja e Bashkimi Evropian dhe të gjithë atyre shteteve që janë në themelet e pavarësisë së Kosovës në raport me të drejtën për lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj dhe për këtë arsye themelimi i Forcave të Armatosura ishte hapi i duhur dhe kuptim plot në drejtim të plotësimit të kuadrit të një shteti që nuk mund të jetë dhe nuk mund të konsiderohet nga askush një gjysmë shtet, raporton kp.
“Kosova përveç së qenuri sensimentalisht shëmbëlltyra, referencë e konvertimit të saj, Shqipëria është shteti natyralisht më i prirur për bashkëpunim dhe më i interesuari për suksesin e Kosovës”, tha Rama.
Ai foli edhe për marrëveshjen përfundimtare në mes Kosovës dhe Serbisë.
“Një draft dakordimi është nën mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian, por frenezia me të cilën Serbia po e bllokon Kosovën në instanca rajonale e ndërkombëtare e deri te kurajo e pa shpjegueshme për të kërkuar tërheqjen e njohjeve të Kosovës si republikë, nuk është thjesht shqetësuese, është sfiduese deri në dekurajimin e procesit të vet dialogut dhe është provokuese deri në nevojën për reagime proporcional“, tha ai.
Haradinaj pret unifikim të ekonomive Kosovë-Shqipëri
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në hapjen e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive shqiptare, është shprehur i bindur se me nënshkrimin e nëntë marrëveshjeve e protokolleve, do të çojë në një të ardhme të afërt, deri në unifikimin e ekonomive tona dhe jo vetëm aq, raporton kp.
Haradinaj tha se e di që populli i Kosovës dhe Shqipërisë presin më shumë nga dy qeveritë dhe nga këtu do të vazhdojnë me punë dhe angazhim në ballafaqimin e sfidave të shumta.
Familjarët e të vrarëve në Kumanovë protestojnë para përfaqësuesve të dy qeverive
“ Sot Kosova është palë kontaktuese me BE-në, MSA-në dhe njëkohësisht ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe pret që e drejta e vet të respektohet nga e institucionet e BE-së”, ka thënë ai./koha.net