Haradinaj: Kemi thanë Bac u kry, por ende nuk u kry, jemi në proces
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur për Pavarësinë e Kosovës si dhe për punën e Kryeministrit Albin Kurti.
Haradinaj ka deklaruar se edhe pse i kem thënë Bac, u kry, komandantit Adem Jashari, ende nuk është kry.
“Dikur i kemi thënë komandantit tonë legjendar Adem Jashari; Bac, u kry, por ende nuk është kry. Jemi në proces.” – ka thënë Haradinaj pas pyetjes nëse sot, pas 15 vitesh, pavarësia e Kosovës është e plotë.
Kreu i AAK-së ka folur edhe për çështjen e sigurisë në Kosovë, ku ka thënë se që të sigurojmë rendin dhe ligjin tonë gjithnjë na duhet një mburojë e madhe.
“Kemi një kujdestari për siguri që është nga NATO. Kjo kujdestari është më e gjerë. Duke mbetur ende çështja e sigurisë, në disa raste e kemi të ndërlidhur punën tonë për zbatimin e rendit dhe të ligjit. Që të sigurojmë rendin dhe ligjin tonë gjithnjë na duhet një mburojë e madhe”. – ka thënë Haradinaj për A2CNN.
Ndërsa sa i përket punëve të Qeverisë së Kosovës, Haradinaj ka thënë se Albin Kurti ka gabuar duke sekuencuar dialogun me Serbinë.
“I kam kërkuar në takime që të mos lejojë sekuencime nga tema në temë. Kërko bashkimin e të gjitha temave në një vendim. Çështja e implementimit pas marrëveshjes mund të humbë peshë.”
Gjatë kësaj interviste, Haradinaj ka folur edhe për mënyra sesi u trajtua situata e tensionuar në Veri, dhe sipas tij, nuk ishte e duhura.
“Serbët vijojnë ta bindin botën se duhen garanci, jashtë Kushtetutës sonë për të garantuar sigurinë e serbëve në veri. Ne themi që Kushtetuta jonë është garancia e mjaftueshme.” – ka përfunduar ai.