Haradinaj: Qeveria ka zgjedhur pronësinë e Parkut të biznesit në Prizren
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë fjalimit në Kuvendin zgjedhor të degës në Prizren, sot ka njoftuar se me vendim të Qeverisë, pjesën e zonës ekonomike, të njohur si Parku i Biznesit ia kanë kaluar në pronësi komunës sw Prizrenit.
Ai tha se Qeveria ka vendosur për kthimin e pronës nga ish-armata jugosllave në pronë komunale dhe nga sot, Prizreni do ta ketë në shfrytëzim.
“Ky është një lajm i mirë me rastin e Ditës së çlirimit të Prizrenit”, tha Haradinaj, derisa përmendi edhe një zonë tjetër të rëndësishme ekonomike në Prizren, parkun e biznesit të ish-kampi gjerman i KFOR-it.
Në këtë kontekst ai tha se vetë gjermanët kanë shpreh gatishmërinë ta vazhdojnë një projekt në planin ekonomik, pas largimit të trupave të tyre ushtarake, në fund të vitit.
“Më vjen mirë që Prizreni, pos tjerash ka edhe dy adresa shtesë ekonomike, parkun e biznesit dhe parkun te ish kampi ushtarak”, tha Haradinaj.
Ndryshe, AKK në Prizren, sot mbajti Kuvendin e tetë zgjedhor. Nga 203 delegatët e zgjedhor morën pjesë 175, të cilët do të zgjedhin Këshillin Drejtues, e ky më pas do ta zgjedh edhe kryetarin./gazetaeprizreni.net/