Haradinaj takon Singerin: Muzeu i Trashëgimisë Hebraike në Prizren i shërben historisë dhe miqësisë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim shefin ekzekutiv, njëherësh president i Kongresit Botëror të Hebrenjve, Robert Singer.
Siç njofton zyra për media e kryeministrit, Haradinaj së bashku me Singerin kanë bërë homazhe te pllaka përkujtimore e hebrenjve në shenjë nderimi për viktimat e Holokaustit.
Me këtë rast, thuhet në njoftim, kryeministri Haradinaj, e ka falënderuar Singerin për vizitën e sotme dhe të gjithë hebrenjtë që e ndihmojnë dhe mbështesin Kosovën përmes Kongresit Botëror të Hebrenjve.
“Është vërtet ndjenjë e mirë që shqiptarët në ato rrethana, që kanë qenë jo të lehta, janë vënë në mbrojtje të hebrenjve. Si Kosovë na vjen mirë që bazuar në këto vlera i takojmë botës që ka respektuar jetën e njerëzve në kohërat më të vështira. Shqiptarët strehuan dhe mbrojtën hebrenjtë sepse ajo ishte gjëja e duhur për t’u bërë”, tha kryeministri Haradinaj, duke kujtuar marrëdhëniet historike të dy popujve dhe po ashtu kohërat e vështira kur populli i Kosovës ishte përkrahur nga bota e lirë demokratike.
Në kuadër të takimit, kryeministri e njoftoi Singerin për alokimin e ndërtesës për Muzeun e Trashëgimisë Hebraike në Prizren, që do t’i shërbejë ruajtjes së kujtesës historike dhe miqësisë mes dy popujve.
Kryeministri Haradinaj po ashtu ka folur për fokusin e Qeverisë së Kosovës me theks të veçantë për reformat në sundimin e Ligjit dhe zhvillimin ekonomik në vend si dhe gjithë progresin që ka bërë Kosova që nga paslufta, ndërkaq nga Singeri ka kërkuar thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.
Për kontributin e tij dhënë ndaj Kosovës, kryeministri Haradinaj e ka nderuar Robert Singer, me “Hartën e Artë të Kosovës”./koha.net