Haradinaj thotë se përkrah mbylljen e kazinove
Kryeministri Ramush Haradinaj, mëngjesin e sotëm ka deklaruar se përkrah seancën e thirrur të jashtëzakonshme te Kuvendit të Kosovës, sot në orën 11:00, me kërkesë që Kuvendi të miratojë rezolutë lidhur me pezullimin e aktivitetit të kazinove dhe lojërave të fatit, si dhe plotësim-ndryshimin e ligjit ekzistues.
Ai ka shkruar në Facebook se përshëndet propozim rezolutën e 49 deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, lidhur me pezullimin e aktiviteteve të kazinove dhe lojërave të fatit dhe plotësim ndryshimin e ligjit përkatës.
Sipas Haradinajt ekzekutivi e organet e drejtësisë, janë mobilizuar për të reaguar dhe për të parandaluar këto degradime nëpër lokale bastesh.
“Ditë më parë, si Kryeministër i vendit kam kërkuar inicimin e procedurave të nevojshme brenda ekzekutivit, të cilat do të rezultonin me mbylljen dhe pezullimin e aktiviteteve të kazinove dhe lojërave të fatit. Përballë kësaj gjendjeje, ne nuk do të lejojmë që këto vende të jenë arenë e krimit dhe të marrin jetë njerëzish. Ekzekutivi dhe organet e sigurisë, tashmë janë mobilizuar për të reaguar dhe parandaluar degradimin e mëtejmë”, përfundon kryemnistri.