Haradinaj: Tradita qindravjeçare e hardhisë është ruajtur shumë mirë në Rahovec
Vërtetë po ua kemi lakmi jo vetëm ne Kosova dhe shqiptarët kudo që janë, por jam thellë i bindur se edhe vendet tjera të botës e kanë lakmi një traditë të tillë të hardhisë që e ka Rahoveci”.
Kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në hapjen zyrtare të festës së rrushit “HardhFest 2018”. Ai tha se tradita e “Hardh Festit”, kishte filluar më herët, e nisur si simbolikë nga presidenti Rugova, por tradita e hardhisë te shqiptarët është qindravjeçare dhe e ruajtur shumë mirë në Rahovec.
Më tej, kryeministri Haradinaj theksoi se festivali i hardhisë po kthehet në traditë dhe është një mundësi të reflektoj në obligimet që i kemi në përgjithësi ndaj prodhuesve tanë se rrushi dhe vera janë prodhim.
“Qeveria është e vetëdijshme se vreshtarët janë dëmtuar shumë nga breshëri. Kemi marr një pjesë të përgjegjësisë, dhe lajmi i mirë është se nuk do të ndalemi dhe do të punojmë bashkë me ju që hardhia, rrushi, vera, produktet e vendit tonë të mund të gjejnë jo vetëm konsumatorin vendor në Kosovë, që është me rëndësi të gjejnë konsumator edhe jashtë Kosovës, sepse jam i bindur se produkte më të mira, më natyrale, e më të vërteta se sa rrushin dhe verërat e Rahovecit, nuk besoj se dikush tjetër në botë mund të jap”, tha kryeministri Haradinaj.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se sapo të përmendet emri Rahovec, menjëherë i kujtohet rrushi, e verërat cilësore, prodhimet e shumta bujqësore dhe urtësia e bujaria e rahovecianëve, duke thekuar se janë pikërisht këto vlera që e bëjnë Rahovecin të veçantë në shkallë Republike.
Kryeministrit Haradinaj në shenjë falënderimi për kontributin e tij, iu nda mirënjohje me simbolin e hardhisë së rrushit.
Më pas kryeministri Haradinaj vizitoi stendat ku ishin të ekspozuara verërat dhe gjitha prodhimet tjera nga rrushi të përgatitura nga vreshtarët rahovecian, si dhe bodrumin e “Stone Castle”, vend ku bëhet grumbullimi, përpunimi dhe prodhimi i verës, ku u prit nga pronari Rrustem Gecaj me bashkëpunëtorë.
Festivali “Hardh Fest 2018” u organizua nën patronatin e kryetarit të Komunës së Rahovecit, në bashkëpunim me “Stone Castle” dhe shoqatat e vreshtarëve dhe vertarëve./koha.net