31-01-2026

Has: Dritë mbi 1946-ën, kur në Rogovë u kundërshtua rikthimi i kolonëve serbo-malazezë

Ndriçimi i vendimit të vitit 1946, kur në Rogovë banorët e Hasit  kundërshtuan rikthimin e kolonëve serbo-malazezë

Një ngjarje jashtëzakonisht e rëndësishme, me domethënie kombëtare, ka ndodhur menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, kur pushteti jugosllav synoi rikthimin e kolonëve serbë dhe malazezë në Hasin e Kosovës, raporton Gazeta e Prizrenit.

Në Rogovë – qendrën e Hasit, u mbajt një tubim gjithëpopullor, një lloj “referendumi”, ku pushteti i asaj kohe testonte qëndrimin e banorëve shqiptarë lidhur me nismën për rikthimin e kolonëve serbo-malazezë, të dëbuar më parë, pas shfrytëzimit si skllevër dhe torturave ndaj banorëve vendas.

Në këtë tubim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të lartë krahinorë nga Prizreni, atëkohë kryeqytet i Kosovës, të cilët po e vëzhgonin situatën nga afër.

Sipas Prof. Dr. Besim Muhadrit që i referohet dëshmitarëve, intelektuali Hajrullah ( Sahit ) Muhadri u shndërrua në figurën qendrore të kundërshtimit të këtij procesi, ku bashkë me patriotë nga ky rajon, ndërtuan një strategji të menduar mirë, e cila përfshinte dokumentimin e krimeve të vitit 1941 dhe mobilizimin e familjarëve të viktimave.

Referati i përgatitur prej tij, i shkruar nga Rexhë ( Ahmet ) Shatri dhe i lexuar publikisht në vitin 1946 nga Hajdar ( Selim ) Morina nga Kushnini, si dhe paraqitja e rrobave të përgjakura të viktimave para autoriteteve sllavo-komuniste, patën ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrje. Kthimi i kolonëve u shty për një afat të pacaktuar dhe, në praktikë, nuk u realizua kurrë.

Falë këtij momenti vendimtar, Hasi mbeti etnikisht i pastër dhe përgjatë kufirit me Shqipërinë, këndej Pashtrikut, nuk u vendosën serbë e malazezë.

Por, kjo ngjarje nuk u përkujtua asnjëherë. Heshtja ka vazhduar deri më sot.

Një përkujtesë e sjell veprimtari dhe profesori, Isa Morina, tash 93-vjeçar, i cili thotë se ishte pjesëmarrës në këtë tubim. /Gazeta e Prizrenit

Lexo edhe:

Editorial: Afera e votave në Prizren zbërthen pafuqinë e kryetarit Totaj

 

Asnjë koment

Comments are closed.