24-11-2024

Has: Vdekja në Kushnin s’ishte vrasje me armë

Vdekja e 49 vjeçarit Ismet U. Smajlaj,  që u gjet dje i përgjakur dhe me plagë, në rrugën afër fshatit Kushnin të Hasit, ka dalë të mos jetë vrasje me armë zjarri, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Burime nga Policia e Kosovës me kusht anonimitetit, kanë konfirmuar për portalin se analizat pas autopsisë kanë treguar se viktima nuk kishte plagë nga ndonjë armë zjarri, ndërsa ka pasur thyerje të eshtrave.

Vdekja enigmatike e Smajlajt nga Ramaja, një fshat rreth 5 kilometra larg vendit ku është gjetur viktima, ka shkaktuar jo vetëm dhembje, por edhe huti në rajonin e Hasit, aq më tepër kur viktima kishte pasur probleme me shëndetin mendor. Hasi vlerësohet si ndër më të qetit në vend, ndërsa rastet e vrasjeve janë të rralla.

Viktima ishte dhëndër i fshatit Kushnin, dhe shpesh ecte nëpër rrugën në të cilën u gjet i lënduar. Sipas familjarëve, ai ishte dërguar në emergjencën e Prizrenit me shenja jete.

Fillimisht nga organet rasti u raportua si dyshim për vrasje me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes,  mbrëmjen e të enjtes, diku mbi vendin e quajtur “Valaku” afër varrezave, rrugës për në fshatin Kushnin ku ishte gjetur viktima ishte edhe një kaçavidë dhe 10 centë. Viktima kishte plagë në këmbë.

Policia për rastin ishte njoftuar nga Emergjenca. Deri tash nuk ka ndonjë të arrestuar, ndërkohë po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e rastit, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.

Familjarë dhe fqinjë të afërt, kanë thënë se nuk kanë dijeni që viktima ka pasur ndonjë konflikt.

Disa nga banorët e kësaj ane, të cilët nuk duan që emrat t’u publikohen, thanë se dukej i pabesueshëm lajmi për vrasje me armë, duke ditur se viktima kishte çrregullime mendore. Tashmë kur obduksioni ka përjashtuar këtë variant, ata japin një version tjetër, atë të aksidentit nga goditja e ndonjë automjeti, që po qarkullonte rrugës.

Njëra nga pistat e hetimit është edhe ky variant. Ngjarje kishte ndodhur rreth orës 18:00, kur është terr, dhe asfalti ku është gjetur viktima është tejet i dëmtuar.

Disa nga banorët, thonë se për shkak të kësaj ndonjë vozitës duke dashur të ikë nga gropat ka goditur viktimën, skaj rrugës. Ata e lidhin këtë me paralajmërimet e tyre se asfalti i deformuar prej kohësh, mund të jetë burim aksidentesh./GazetaePrizrenit.net/

Rezultate imazhesh për rruga e Hasit Gjonaj Bishtrazhin

Asnjë koment

Comments are closed.