24-11-2024

“Hasjania” në vendin e vet si rrëfim me shenja unike

Njëra prej ikonave të trashëgimisë arkitekturore të Prizrenit, gjatë këtyre ditëve është duke i bërë nikoqirllëk mbretëreshës së etnografisë së kësaj ane. Në këtë mënyrë, gjatë këtyre ditëve ato janë duke e plotësuar njëra-tjetrën në shpalosjen para publikut të vlerave të shumta kulturore.

Ekspozita personale e skulptorit Luan Mulliqi, e quajtur “Hasjania”, pas shëtitjes nëpër botë, për nder të shënimit të 7 e 8 Marsit, ka ardhur në Hamamin e Gazi Mehmed Pashës në Prizren. Falë edhe ndriçimit adekuat të instaluar pranë skulpturave të akademikut Mulliqi, kjo hapësirë ka marrë një pamje të pazakontë, por mjaft tërheqëse për vizitorët e këtij monumenti.

Madje autori i skulpturave të punuara nga materialet e ndryshme ka theksuar se këto punime artistike më së miri po përshtaten me vendin e vet.

“Këto skulptura kanë qenë të ekspozuara në shumë vende, kryesisht të Evropës. Por si duket më së miri po rrinë këtu, ku e kanë vendin, në shtëpinë e vet”, ka thënë Mulliqi në hapje të ekspozitës të enjten mbrëma, që realizohet me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve./Koha Ditore/

Fotografia e Astrit Shatri

Asnjë koment

Comments are closed.