24-11-2024

Haskuka akuzohet për shndërrim në aktivitet partiak të Panairit të Bizneseve të Grave

Këshilltarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit nga radhët e partive opozitare dhe të koalicionit qeveritar kanë akuzuar kryetarin e Komunës, Mytaher Haskuka dhe Lëvizjen Vetëvendosje për shndërrim në aktivitet partiak të Panairit të Bizneseve të Grave, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ky panair i organizuar gjatë fundjavës në qendër të Prizrenit, sipas anëtarëve të caktuar të KK-së është realizuar me paratë e taksapaguesve. Por, sipas tyre, në këtë organizim nuk janë ftuar anëtarët e KK-së e as nënkryetari i Komunës e drejtorët, ndërkohë që janë shpalosur synimet për anëtarësimin e grave në LVV, në një aktivitet të financuar nga Komuna e Prizrenit.

Këshilltari Petrit Hoxhaj nga LDK-ja, parti kjo që është pjesë e koalicionit qeverisës komunal, ka shprehur qëndrimin se Panairi i Bizneseve të Grave i organizuar nga Komuna e Prizrenit është “panair kryekëput i LVV-së i financuar me taksat e Komunës së Prizrenit”. Ai ka theksuar se në këtë organizim nuk janë ftuar nënkryetari i Komunës, drejtorët e Ekzekutivit e as kuvendarët.

“Çdo ditë e më shumë LVV-ja po e tregon veten e saj se nuk është për një bashkëqeverisje që duhet të vazhdohet me të”, është shprehur Hoxhaj në rrjetet sociale. Sipas tij, kjo nuk është hera e parë që nënkryetari i Komunës, Eshref Memaj, nuk ftohet nëpër takime. “Ju vazhdoni me tuajën, se edhe ne do të vazhdojmë me të tonën”, ka qenë porosia e tij për partnerët e koalicionit.

Asnjë koment

Comments are closed.