Haskuka i quan analfabetë Zafir Berishën dhe Bilall Sherifin e Nisma-s
Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka i ka quajtur analfabetë Zafir Berishën dhe Bilall Sherifin e Nisma-s.
Ai këtë e ka bërë përmes një postimi në Facebook, pas reagimit të tyre lidhur me arrestimet, për një tender me dokimente fiktive.
Postimi i Haskukës:
Po i shoh reagimet e Bilallëve e Zafirëve të NISMA-s. Nuk po befasohem se analfabetët nuk dinë të lexojnë, por edhe nëse lexojnë me siguri nuk kuptojnë, prandaj as që e kisha bërë një reagim për ta.
Por më e keqja është që ata që duhet të informojnë opinionin publik, e bëjnë pikërisht të kundërtën, pra keqinformojnë. Korruptimi i së vërtetës është bazamenti i së keqes, e Gazeta Express është shembull se si paratë e pista të korrupsionit shërbejnë për shpifje e njollosje.
Për hir të informimit të opinionit publik, po e publikoj dokumentin/ vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) lidhur me procedurën e prokurimit, i cili po përdoret për shpifje ndaj meje dhe zyrtarëve komunal.
Lidhur me këtë procedurë, më duhet të njoftoj që komisioni vlerësues komunal gjatë vlerësimit të ofertave ka bërë anulimin e procedurës së prokurimit, ngase ka vlerësuar që asnjë operator ekonomik nuk i ka përmbushur kriteret.
Pas anulimit të procedurës së prokurimit, operatorët ekonomik janë ankuar në OSHP, e OSHP-ja më datë 13.11.2020 ka nxjerrë vendim që Komuna ta anulojë vendimin e saj për “anulim të procedurës” dhe të bëjë “rivlerësimin e ofertave”!
Pra shkurt dhe shqip, OSHP ka vendosur që dokumentacionet e operatorëve ekonomik janë në rregull dhe që Komuna duhet të bëjë rivlerësimin e ofertave, e jo anulimin e prokurimit.
Për Gazetën Express, e cila me tituj bombastik mundohet ta njollosë qeverisjen tonë të pastër, do të pasojnë paditë për shpifje dhe kompensim të dëmit. Një ditë do të fillojë funksionimi i gjykatave dhe të gjithë shpifësit do të paguajnë për shpifjet e tyre dhe korruptimin medial.
Dua të rikujtoj se Gazeta Express është identifikuar si një nga burimet e lajmeve të rreme (fake news) edhe nga Raporti i Parlamentit Evropian!
P.s. Ndërkaq, me këtë rast dua të theksoj se unë nuk mund t’i vlerësoj pretendimet për dokumentacionet e operatorëve ekonomik dhe mbetet që organet kompetente të drejtësisë të vlerësojnë se a ka pasur dokumente të falsifikuara nga ana e operatorëve ekonomik apo jo.