Haskuka ia kthen PDK-së: Akuzat tuaja qesharake
PDK sot në Prizren ka akuzuar qeverisjen e Mytaher Haskukës se gjatë kohës së pandemisë ka bërë shumë gabime në dëm të qytetarëve.
Por, akuzat e tilla ai i ka quajtur qesharake derisa ka thënë se ia kanë penguar edhe punën në këtë kohë, njofton Klan Kosova.
“Akuzat e tyre janë qesharake. Për më tepër komuna ka ngritur kallëzim penal ndaj disa zyrtarëve të PDK-së që kanë shkelur ligjin gjatë pandemisë”, ka thënë Haskuka për klankosova.tv.
PDK po ashtu sot përmes një deklarate akuzoi qeverisjen e Haskukës për degradim urban, përkatësisht ndërtimin e disa vilave afër rethit të autostradës në Prizren.
Por, për këtë Haskuka tha se është ndalë ndërtimi nga ata, por më pas kanë marrë leje nga Ministria e Ambientit.
Ndërkaq, drejtori i Urbanizmit në Prizren, Fatmir Memaj, tha për klankosova.tv se në atë lokacion ka leje për disa objekte hoteliere, ndërsa shtoi se akuzat e PDK-së nuk janë ndaj ndonjë objekt të caktuar.
“Meqë PDK nuk ka dhënë të dhëna konkrete, unë nuk mund të flas me emra, por ne atë lokacion ka leje të dhëna për disa objekte hoteliere, (apo villa siç i quan PDK). Ne qoftë se na japin të dhëna konkrete, ne mund të përgjigjemi më konkretisht”.