24-11-2024

Haskuka: Komuna e Prizrenit ka humbur një donacion në vlerë prej 350 mijë euro

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka kritikuar bojkotin e asambleistëve të Prizrenit, duke e quajtur vendim kundër interesave të qytetarëve, shkruan GazetaePrizrenit.net.

Dje Kuvendi Komunal i Prizrenit, për mungesë kuorumi ka shtyrë mbledhjen e jashtëzakonshme.

Haskuka ndërkaq ka shkruar në profilin e tij në “facebook”:

Bllokimi i votimit për donacionin nga MAPL është kundër interesave të qytetarëve të Prizrenit!

Për shkak të mospjesëmarrjes së një numri të madh të asambleistëve në Kuvend, Komuna jonë ka humbur një donacion në vlerë prej 350,000 Euro nga MAPL. Fjala është për projektin e ndërtimit të rrugës Smaç – Mamushë, ku përfitues kryesorë do të ishin qytetarët e rajonit të Anadrinit dhe tërë komunës Prizrenit.

Është krejtësisht e pakuptueshme që projektet infrastrukturore për të cilat komuna jonë ka aq shumë nevojë, të bojkotojnë vetë asambleistët e Prizrenit, të cilët mandatin e kanë marrë nga qytetarët. Posaçërisht është e papranueshme sjellja e disa  asamblistëve nga subjektet e koalicionit të cilët i janë bashkangjitur strategjisë opozitare.

Çka fiton komuna jonë nga ky veprim?

Në vend se të kemi një investim më shumë, do të kemi një investim më pak.

As opozitarizmi e as interesat personale, në asnjë rast nuk guxojnë të jenë mbi interesat e qytetarëve të Komuës së Prizrenit. Të jesh asambleist do të thotë të përfaqësosh interesat e qytetarëve. Veprimet e papërgjegjshme nuk mund të justifikohen”ka shkruar Haskuka./GazetaePrizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.