23-11-2024

Haskuka mbetet edhe pa një drejtor në kabinetin e tij

Kabineti i kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka mbetur edhe pa një drejtor, ndërsa Refik Shaqiri,  që drejtonte sektorin e Gjeodezisë dhe Kadastrit në Komunën e Prizrenit është i pesti me radhë,  që nuk do të jetë pjesë e qeverisjes komunale, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Largimin e tij e ka konfirmuar kryetari Haskuka, duke treguar se Dr. Shaqiri do të vazhdojë karrierën e tij në sistemin e shëndetësisë publike.

Refik Shaqiri nga NDS (Nova Demokratska Stranka), është njëri nga të akuzuarit e fundit që tashmë ndodhet në proces gjyqësor në Gjykatën e Prizrenit, bashkë me Levent Kasëmin, drejtor i Shërbimeve Publike (nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje) dhe Fejzë Kabashin, drejtor i Punës dhe Mirëqenies Sociale (LDK). Ata po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën derisa ishin anëtarë të Komisionit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës së paluajtshme të Komunës së Prizrenit.

Ndryshe, Shaqiri është drejtori i pestë në qeverisjen e Haskukës, që largohet nga pozita gjatë qeverisjes dyvjeçare të Haskukës, pjesë e të cilës ishin edhe ish-drejtoresha për Shëndetësi, Flaka Siqeca, ish-drejtorët e Arsimit Skënder Susuri e Gani Gërmizaj, edhe drejtorit për Ekonomi e Financa Ertan Simitqiut, posti i të cilit ka mbetur vakant prej 6 muajsh, për shkak të dorëheqjes pas ngritjes së aktakuzës, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Në anën tjetër, shoqëria civile dhe opozita në Prizren, po kërkon largimin e të gjithë drejtorëve të cilëve është ngritur aktakuzë, duke ia kujtuar Haskukës premtimin e tij, se nuk do të lejonte një gjë të tillë gjatë qeverisjes.

Haskuka ka shkruar në profilin e tij në “facebook” se në një takim lamtumirës e ka falënderuar drejtorin Shaqiri, për punën profesionale dhe përkushtimin e tij në përmirësimin e shërbimeve komunale.

“Gjatë vitit të kaluar, Drejtoria e Gjeodezisë dhe Kadastrit ka pranuar gjithsej 14506 kërkesa, nga të cilat janë kryer 13655 sosh dhe në procedurë vazhdojnë të jenë edhe 851 kërkesa. Gjatë dy viteve të kaluara efikasiteti i punës në këtë drejtori është shtuar dhe shpejtësia e shërbimeve është rritur. Po ashtu janë rritur edhe të hyrat komunale nga kjo drejtori, duke treguar progres në krahasim me vitin paraprak nga 247,700 euro në 284,120 euro”, ka shkruar ai. /GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.