24-11-2024

Haskuka paralajmëron memorial kushtuar masakrës në Krushë të Vogël

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka ka paralajmëruar ndërtimin e një memorial në fshatin Krushë të Vogël, për ta dokumentuar  masakrën më të madhe që ka ndodhur gjatë luftës në rajonin e Prizrenit, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.

Përmes një postimi në profilin e tij në “facebook”, ai ka shkruar:

“Në mars të vitit 1999 në Krushë të Vogël janë vrarë 103 persona, prej të cilëve 65 ende janë të zhdukur. Masakra e Krushës së Vogël, edhe pse një prej masakrave më të mëdha në regjionin e Prizrenit, në të kaluarën institucionet përgjegjëse, qoftë Qeveria e qoftë komuna, nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për të siguruar dhe për të mbrojtur atë vend si një dëshmi të krimeve të Serbisë në Kosovë.

Prandaj sot zhvillova një takim me Këshilltarin Politik të Kryeministrit dhe Mbajtësin e Dosjes për Çështjen e Personave të Zhdukur z. Jahja Lluka dhe përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, me të cilët ramë dakord që në Krushë të Vogël të ndërtohet një memorial, në shenjë dokumentimi të kësaj masakre.

Komuna jonë do të vazhdojë t’i kushtojnë një rëndësi të veçantë për ata që u flijuan për atdheun”, ka shkruar ai./GazetaePrizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.