24-11-2024

Haskuka raporton për projektet, qytetarët ia paraqesin preokupimet në infrastrukturë dhe ia kujtojnë premtimet për transparencë

Në debatin publik para qytetarëve, kryetari i Komunës Mytaher Haskuka, sot ka raportuar rreth punës së gjashtëmujorit të parë të vitit, ndërsa qytetarët kanë paraqitur brengat e tyre, kryesisht për çështje të infrastrukturës, mungesës së pastërtisë së qytet, procesit të bursave studentore, si dhe çështje të tjera.

Haskuka gjatë prezantimit njoftoi për angazhimin e deritashëm në aspektin e shërbimeve efikase, regjenerimit urban, arsimit cilësor, zhvillimit të bujqësisë, trashëgimisë kulturore, turizmit, zhvillimit ekonomik dhe shëndetësisë, duke i përmendur disa nga projektet kryesore që janë realizuar apo janë në realizim e sipër.

“Raportin 6 mujor të Komunës dhe të gjitha raportet 6 mujore të drejtorive janë të publikuara në uebfaqen zyrtare të Komunës”, ka thënë ndër tjera ai, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.

Fotografia e Komuna e Prizrenit

Për dallim nga kryetari që ndër tjera ka lavdëruar punën e bërë, disa nga qytetarët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile paraqitën brengat e tyre.

Almendin Fejza nga Organizata KDI, ndër tjera pyeti nëse komuna ka shifrën konkretet të rasteve të ndërtimeve ilegale dhe tejkalimeve gjatë mandatit të kësaj qeverisje, por nga zyrtarët mori vetëm përgjigje të përgjithësuar me disa sqarime rreth procedurave, pa ndonjë shifër.

Studentja Anjesa Berisha, ia kujtoi Haskukës, premtimin për transparencë që siç tha nuk është përmbushur në rastin e ndarjes së bursave, pasi nuk është publikuar numri i të gjithë aplikuesve, nota mesatare dhe disa kritere tjera, për ta bërë sa më transparente.  “Pse edhe pas skadimit të afatit, nuk ka ndonjë njoftim për ankesat”, pyeti ajo.

Në përgjigjen që dha Haskuka, ndërkaq tha se për disa fakultete ka pasur numër më të madh të bursave, varësisht nga profili i studimeve.

Kemajl Gigollaj nga Lugishta e Hasit kërkoi të kontrollohet cilësia e punimeve në riparimin e rrugës Dedaj-Lugishtë, ndërsa një qytetar përmendi problemin e pastërtisë në lagjen “Xhevat Berisha”.

Banori i rrugës “Faredin Hoti” në Prizren, Eljesaj Kelmendi paraqiti  çështjen e kësaj rruge, që prej 6 muaj ka mbetur në gjendje të keqe pas instalimit të një gypi të ujësjellësit.

Sezair Shehu nga Lukija kërkoi ndërtimin e trotuarit në rrugën Ramajë-Lukijë, pasi fëmijët e atjeshëm duhet udhëtojnë afër 3 km nëpër asfaltin edhe ashtu të ngushtë për shkuar në shkollë.

Kryetari Haskuka, ndërkaq porositi qytetarët të raportojnë në “Alo Komuna” nëse kanë ndonjë çështje rreth infrastrukturës, përfshirë edhe dyshimet rreth realizimit të dobët të punimeve në projektet që janë në zbatim nëpër lagje.

Fotografia e Komuna e Prizrenit

Ndryshe, kryetari i komunës detyrohet që brenda vitit t’i organizojë dy debate me qytetarët, në të cilat pos njoftimit për punët e bëra i merr edhe kërkesat dhe shqetësimet tyre. Ai duhet të mbajë edhe një debat tjetër në fund të këtij viti./GazetaePrizrenit.net

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.