Një ditë pas deklarimit, në rrjete sociale për këcënim përmes një telefonate nga asambleistja e Vetëvendosjes në Prizren, Dafina Alishani, sot ka reaguar edhe kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, që poashtu vie nga VV, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Ndonëse i ka dy profile vetëm në “facebook”, rrjet në të cilin njoftoi për kërcënim edhe kuvendarja, Haskuka për çudi ka shkruar se është informuar nga mediat që “asamblistja Dafina Alishani është kërcënuar dhe unë nuk paskam reaguar”.
Nëse kjo është e vërtetë, atëherë del se Haskuka i ka të ftohura ose nuk ka fare komunikim me bashkëpartiaken e tij, meqenëse edhe nëse ai nuk e ka parë postimin dhe reagimet, atëherë si është e mundur që pas gjithë atyre reagimeve askush nga bashkëpunëtorët e tij, të mos e ketë njoftuar, derisa edhe Alishani postimin në ‘facebook’ e ka bërë dje në orën 11:52 min (paradite)?!
Ndërkaq, pas kësaj kohe deri në reagimin e sotëm, Haskuka ka bërë së paku dy postime në profilet e tij në “facebook”.
Ndryshe, Alishani dje ka shkruar se është kontaktuar përmes telefonit nga burri i “ndërmarrëses” e cila ka fituar një lokal-pronë komunale në shfrytëzim, në zonën ‘Shatërvan’ të Prizrenit, dhe i është thënë që të mos e ngrit këtë temë më për diskutim: “mos fol më për këtë temë”.
Rasti ka ndodhur pas emisionit “Jeta në Komunë” ku Haskuka ishte për të debatuar për qeverisjen e Prizrenit në tre vitet e fundit, ndërsa Alishani ka kërkuar sqarime nga kryetari rreth shfrytëzimit të pronave komunale nga gratë, dhe nëse monitorohet respektimi i planit të biznesit në bazë të të cilit plan janë marr në shfrytëzim pronat e Komunës.
Pas “kërcënimit” kanë pasuar shumë reagime, përfshirë edhe zëvendëskryeministren e Kosovës, Albulena Balaj-Halimaj, pastaj kuvendarë si dhe përfaqësues të opozitës në Prizren.
Ndërkaq, sot pasdite Haskuka përmes “facebook-ut” ka kërkuar nga Alishani siç ka thënë nëse është kërcënuar ta paraqesë rastin në organet e drejtësisë, duke i premtuar mbështetje.
Postimi i plotë i Haskukës:
Nga mediat u informova që “asamblistja Dafina Alishani është kërcënuar dhe unë nuk paskam reaguar”.
Së pari më lejoni që të tregoj se kam qenë njëri prej atyre që ka biseduar me Dafinën që të involvohet në politikë dhe që të jetë kandidate për asambliste, e më vonë edhe për deputete dhe duke besuar tek ajo kam kërkuar që ajo të jetë pjesë e qeverisjes komunale. Pra, unë kam pasur besim të plotë tek Dafina, prandaj edhe e kam mbështetur.
Sidoqoftë, tani e lexova postimin e Dafinës për telefonatën që ka marrë ajo, ku ka shkruar “Sot më kontaktoi burri i “ndërmarrëses” dhe më tha, lokalin e ka gruaja ime dhe mos shpif dhe mos fol më për këtë temë.”
Nëse ka pasur kërcënim të drejtpërdrejtë besoj shumë në Dafinën që ajo ka kurajo të denoncojë këtë gjë në Polici dhe Prokurori. Unë personalisht do ta mbështes dhe kërkoj nga organet kompetente që ta hetojnë rastin.
Besoj që tanimë të gjithë e dinë rëndësinë që unë personalisht i kushtoj barazisë gjinore dhe të drejtave të grave. Uroj që të gjithë të jemi po aq vigjilentë edhe kur kërcënohen dhe ofendohen drejtoreshat dhe drejtorët Komunës së Prizrenit, vetëm pse i kryejnë detyrat e tyre me përgjegjësi.
P.S.
Uroj që “koordinatori” për siguri kibernetike në vend të shpifjeve ndaj meje t’i kushtojë kohë Abetares, kurse për deputeten e Prontos që na shitet si “mbojtëse e grave” dhe shpif kinse zyrtarët komunalë paskan bërë kërcënim, të shpjegojë pse nuk e ka votuar ligjin për gratë e dhunuara gjatë luftës!?
Lexo edhe:
Reagime pas kërcënimit të kuvendares nga Prizreni, Dafina Alishani