Haskuka reagon për dëmtimet e ulëseve të Pasha Çeshmes
Dëmtimet e ulëseve në Pasha Çeshme, kanë nxitur reagimin e kryetarit prizrenas, Mytaher Haskuka.
Ai ftoi qytetarët t’i lajmërojnë keqbërësit në numrat kujdestar të Komunës. Ai përmes publikimit në Facebook ka thënë se për këto dëmtime dyshohen se janë bërë qëllimisht nga prerësit ilegal të pyjeve.
“Prona publike është pronë e të gjithëve. Në vend se të përkujdesemi dhe ta ruajmë pronën publike, persona të papërgjegjshëm e dëmtojnë atë qëllimisht.
Një gjë e tillë ka ndodhur së fundmi përgjatë rrugës Kala – Pasha Çeshme, ku në mënyrë vandale janë shkatërruar ulëset të cilat ishin vendosur dy javë më parë. Këto shkatërrime dyshohet se janë bërë qëllimisht nga prerësit ilegalë të pyjeve, për të kaluar më lirshëm me mjetet e tyre transportuese gjatë bartjes së drunjve.
Edhe pse në vend të ulëseve të shkatërruara janë punuar ulëset e reja, nuk mund të qëndrojmë indiferentë ndaj këtyre çështjeve. Përveç organeve kompetente që pritet ta bëjnë punën e tyre, ftohen edhe qytetarët, të cilët vërejnë keqbërësit, t’i denoncojnë tek organet e rendit ose të lajmërojnë në platformën ‘’Alo, Komuna!’’ në këta numra: 0800 19 200 dhe +383 45 119 200”, ka shkruar kryetari Haskuka.
Rregullim i shtegut malor përgjatë rrugës Kala – Pasha Çeshme si dhe vendosja e ulëseve të betonit është bërë dy javë më parë dhe për këtë projekt në fazën e parë janë shpenzuar 10 mijë euro ndërsa ky projekt do të vazhdohet edhe në vitin 2019 në fazën e dytë.