24-11-2024

Haskuka: S’kam marrë letër nga FFK, s’po e politizoj Lirinë

Edhe pse vet KF Liria e ka publikuar letrën që Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ia ka dërguar kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, duke kërkuar prej tij që mos të ndërhyjë politikisht në klubin bardh e zi, Haskuka thotë se nuk ka marrë kurrfarë shkrese nga shtëpia e futbollit, shkruan Gazeta Express.

 

 

 

 

 

 

 

Sipas tij, Komuna që ai e drejton nuk synon të ndërhyjë politikisht te Liria, por me qenë se Komuna e Prizrenit e financon klubin atëherë ky institucion kërkon llogari për paranë publike.

Në reagimin nga Mytaher Haskuka në “Facebook” thuhet:

Lidhur me letrën e FFK-së për Lirinë…

Këto ditë nëpërmjet mediave u publikua një lajm me titull: “FFK-ja i çon letër kryetarit të Prizrenit”. Lajmi kishte të bëjë me një letër nga ana e Federatës së Futbollit të Kosovës drejtuar tek unë, në lidhje me klubin e futbollit Liria, me pretekst kinse të politizimit të klubit.

Sa për ta sqaruar opinionin publik, sot e kësaj dite një letër të tillë unë nuk e kam pranuar as nëpërmjet postës, e as nëpërmjet e-mailit zyrtar.

Zakonisht kur kemi lajme të mira në Prizren, interesimi i disa mediave qendrore është i mangët, por këto media nuk ngurojnë të plasojnë tituj tendenciozë që nuk e tregojnë të vërtetën dhe që janë të paverifikuara nga ana e Komunës.

Që nga dita e parë e marrjes së pushtetit, kemi pasur takime me kërkesë nga drejtuesit e klubit, qoftë ata nga kryesia e vjetër apo kryesia aktuale. Këto takime kanë qenë me qëllim të mbështetjes së klubit në aspektin financiar dhe kërkimit të llogaridhënies për paranë publike, ndërsa asnjëherë nuk kemi pasur ndonjë diskutim rreth organizimit të brendshëm në klub.

Liria dihet që shumicën e buxhetit e ka të siguruar nga ana e Komunës dhe ne si Komunë e kemi për obligim që të kërkojmë llogari për paranë publike.

Federata e Futbollit mund të jetë e keqinformuar pasi është bazuar në shkrimet në media dhe nuk ka pasur komunikim të drejtpërdrejtë me Komunën. Pretendimi i Federatës, kinse jemi duke bërë ndërhyrje të dhunshme në klub as që mund të konsiderohet.

Deri më tani është nisur vetëm një iniciativë nga anëtarët e Kuvendit Komunal, për formim të komisionit për monitorim dhe mbikëqyrje jo vetëm të klubit të Lirisë, por të të gjitha subjekteve përfituese nga kodi buxhetor “Politikat zhvillimore të kulturës, rinisë dhe sportit”. Dhe për formim të këtij komisioni do të vendoset nesër nga anëtarët e Kuvendit në mbledhjen e Kuvendit Komunal.

Pra, formimi i këtij komisioni nuk do të ketë për qëllim ndërhyrjen në klub në aspektin organizativ, por do të bëjë vetëm monitorimin e punës së subjekteve përfituese, me theks të veçantë menaxhimin financiar të tyre, dhe do t’i jep rekomandime Kuvendit se si duhet të veprohet tutje me këta përfitues në aspekt të mbështetjes.

Ne jemi të obliguar të kërkojmë llogari për paranë publike, prandaj edhe formimi i komisionit ka po këtë qëllim.

Asnjë koment

Comments are closed.