23-11-2024

Haskuka sulmon Kohën Ditore, për borxhet që Komuna s’arriti t’i mbledhë

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka sulmuar gazetën “Koha Ditore”, për shkrimin me titull “Komuna e Prizrenit s’arrin t’i arkëtojë 20 milionë euro borxhe”, të botuar në edicionin e sotëm.

Haskuka nuk i ka dërguar reagim gazetës, porse reagimin e ka bërë në një postim në rrjetin social Facebook. Në reagimin e tij ai pretendon se ky titull një sukses të qeverisjes aktuale komunale e paketon si “dështim”. Gjithashtu shpreh keqardhje për nivelin e gazetarisë.

Por, KOHA Ditore në artikullin me titullin e sipërpërmendur bazuar në fakte, respektivisht në Raportin e Komisionit për verifikimin dhe inkasimin e llogarive të arkëtueshme ka raportuar për borxhet që palët e ndryshme kanë ndaj Komunës së Prizrenit, që i afrohen shumës prej 20 milionë eurove.

As në titull e as në artikull askund nuk thuhet se Qeveria Haskuka s’ka arritur t’i arkëtojë 20 milionë euro borxhe, por përmendet Komuna e Prizrenit. Artikulli, bazohet në raportin e Komisionit përkatës dhe në të bëhet e ditur se kjo gjendje është krijuar me mos respektimin e procedurave ligjore nga të gjitha legjislaturat që kanë udhëhequr në Prizren prej vitit 2000 e deri më sot.

Në artikull theksohet se Komisioni për llogaritë e arkëtueshme është emëruar nga kryetari Haskuka me detyrën që për 6 muaj të hulumtohet dhe analizohet çështja e llogarive të arkëtueshme ashtu që gjetjet e rekomandimet të prezantohen para organeve komunale, dhe sqarohet se raporti parashihet që të shqyrtohet në mbledhjen e radhës të Kuvendit të Komunës.

Për më tepër në artikull është cituar edhe deklarimi i kryetarit Haskuka në diskutimin publik me qytetarët ku pat bërë të ditur se në periudhën gjashtëmujore të këtij viti, me qëllim të parandalimit të rritjes së llogarive të arkëtueshme është krijuar një ekip, që i analizon këto borxhe, dhe se do të masa specifike për mënyrën se si me i ulë llogaritë e arkëtueshme.

Prandaj, të gjitha pretendimet e Haskukës në postimin e tij në Facebook janë të paqëndrueshme për gazetën KOHA Ditore. Gazeta, prej 22 vjetësh vazhdon të raportojë në mënyrë profesionale, bazuar në fakte dhe nuk do të zmbrapset në përpjekje për informim të saktë dhe korrekt.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë postimin e Haskukës në Facebook:

Ndonjëherë gjysmë e vërteta është më e rrezikshme se gënjeshtra. Ashtu ishte sot titulli i gazetës Koha Ditore “Komuna e Prizrenit s’arrin t’i arkëtojë 20 milionë euro borxhe”, i cili një sukses të qeverisjes sonë komunale e paketon si “dështim”.

E vërtetë është që kur e kemi marrë qeverisjen komunale, pos borxheve dhë lëndëve që komuna i ka pasur në gjykata, ne kemi gjetur edhe një kaos total në llogaritë e arkëtueshme, pra borxhet që bizneset dhe qytetarët i kanë ndaj Komunës së Prizrenit. Për ta tejkaluar këtë problem, ne kemi krijuar një komision, i cili i ka analizuar llogaritë e arkëtueshme të Komunës, i ka konstatuar shumat dhe të gjitha borxhet që palët e treta i kanë karshi Komunës dhe ka dhënë rekomandime se si të inkasohen këto borxhe.

Raportin e komisionit për llogari të arkëtueshme, ne e kemi vendosur në rend të ditës së seancës së radhës së Kuvendit Komunal dhe në momentin që të aprovohet në Kuvend, ne të veprojmë sipas rekomandimeve të këtij Komisioni.

Për 20 vite nuk është bërë asgjë për këtë problematikë e borxhi i 20 viteve ka kaluar shifrën 18 milionë euro, por tani që ne po veprojmë për t’i inkasuar borxhet, na dalin këta dhe mundohen ta paraqesin si dështim.

Për të ardhur keq për nivelin e gazetarisë!/koha.net

 

Asnjë koment

Comments are closed.