Diskutimet janë zhvilluar në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren, në kuadër të forumit të Bashkë-investimeve dhe Rrjetëzimit, të organizuar nga komuna e Prizrenit dhe organizata “Germin”, raporton KTV.
Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka thënë se përpos afërsisë me rajone të ndryshme, trashëgimia kulturore përbën avantazh tjetër për investime.
Haskuka ka shtuar se investitorët i kanë dyert e hapura në Prizren, pasi sipas tij, në komunën që udhëheq nuk do të përballen me korrupsion.
Ai ka thënë se funksionalizimi i zonës ekonomike do të jetë një nga prioritetet kryesore të tij.
Si rezultat i forumit, të dielën do të lansohet Zyra Koordinuese për Diasporën në komunën e Prizrenit, e cila do të shërbejë si pikë referimi për çdo investitor të interesuar.
Bizneset nga diaspora e kanë vlerësuar forumin si mundësi të mirë për diskutimin e formave të bashkëpunimit ndërmjet tyre dhe bizneseve lokale.
Ata kërkojnë të paktën largimin e procedurave burokratike për të investuar.
Në panelet e diskutimit u theksua se nevojitet forcim i sektorit privat për të nxitur zhvillimin ekonomik, por edhe investimet nga jashtë.
Hapësira prej rreth 40 hektarësh e Parkut të Inovacionit dhe trajnimeve deri vonë ka qenë në shfrytëzim të KFOR-it gjerman.
Kjo hapësirë tani do të shërbejë për zhvillimin e bizneseve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.