Haskuka viziton dy shkolla në Prizren me rastin e fillimit të gjysmëvjetorit
Me rastin e fillimit të gjysëmvjetorit të dytë të vitit shkollor 2020/2021, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Xhemile Thaçi Vezgishi, sot kanë vizituar shkollën fillore “Lekë Dukagjini” dhe Gjimnazin “Remzi Ademaj”, për të parë nga afër mbarëvajtjen e zhvillimit të procesit mësimor.
Në njoftimin e komunës, thuhet me këtë rast, kryetari Haskuka, deklaroi se tashmë të gjitha shkollat e Komunës së Prizrenit, janë dezinfektuar dhe gjithashtu janë furnizuar me të gjitha materialet e nevojshme, mbrojtëse nga koronavirusi. Varësisht prej numrit të nxënësve, procesi mësimor në disa shkolla po zhvillohet sipas skenarit A, dhe në disa prej tyre sipas skenarit B.
Po ashtu, kryetari Haskuka bëri të ditur se DKA-ja, ka bërë rregullimin e nyjeve sanitare të 15 shkollave të ndryshme, si dhe është bërë shpërndarja e gjithsej 45.620 lektyrave shkollore në 56 shkolla fillore dhe të mesme të Komunës së Prizrenit.
Duke uruar një gjysëmvjetor të mbarë, kryetari Haskuka, falënderoi të gjithë mësimdhënësit, pedagogët dhe drejtorët e shkollave për performancën e jashtëzakonshme gjatë gjithë kohës së pandemisë dhe po ashtu i bëri apel nxënësve që t’i respektojnë masat mbrojtëse, në mënyrë që të mos kthehemi mbrapa.