Haskuka viziton fshatin Korishë, thotë se ka potencial për t’u bërë destinacion turistik
Kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka, sot ka vizituar fshatin Korishë, e përmes një postimi në Facebook, i ka komentuar bukuritë që ka ky fshat.
Haskuka thotë se bukuritë e Prizrenit nuk kufizohen vetëm në qytet, por edhe në rajonin përreth. Një bukuri e rrallë natyrore, thotë ai, është edhe ajo në fshatin Korishë, përkatësisht në ujëvarat dhe kalanë e këtij fshati.
E përveç bukurive natyrore, shkruan Haskuka, këtu gërshetohet edhe trashëgimia kulturore me historinë 2000 vjeçare të kalasë dhe kishës së Raguzanëve të shekullit 13.
“Korisha ka një potencial të madh për të qenë destinacion i rëndësishëm turistik, ndërsa me investimet e realizuara nga Komuna, veçse e kemi bërë një hap në këtë drejtim. Rregullimi i shtratit të lumit, ndërtimi i tri urave për këmbësorë, shtegu për ecje, hapësirat për piknik, mbjellja e fidaneve të reja dhe shtimi i hapësirave të gjelbra janë disa nga këto investime”, shkruan Haskuka.
Ujëvarat e Korishës, thotë kryetari Haskuka, tanimë kanë marrë një pamje krejtësisht ndryshe, derisa kalaja me anë të gërmimeve arkeologjike dalëngadalë po merr formë, duke e nxjerrë në shesh vjetërsinë e saj./koha.net