26-11-2024

Haskukës i kërkohet asfaltimi i rrugës në “Barut-hane” për lehtësim të kyçjes së Prizrenit në Autostradë

Komuna e Prizrenit sot ka organizuar dëgjimin e pestë dhe të fundit publik me qytetarë për hartimin e buxhetit për vitin 2020, ndërsa qytetarët kanë kërkuar asfaltimin e rrugës transitore për kyçje më të lehtë të Prizrenit në Autostradë, tek transiti i ri, në lagjen “Baruthahe”, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Hapjen e këtij dëgjimi e bëri kryetari, Mytaher Haskuka, i cili njoftoi se Komuna e Prizrenit për vitin 2020 do të ketë një buxhet prej 50,901,457€, prej së cilës 43,341,162€ janë nga granti qeveritar dhe 7,560,295€ të tjera nga të hyrat vetanake.

Po ashtu gjatë dëgjimit drejtori i Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa Ertan Simitçi njoftoi për detajet e buxhetit të planifikuar dhe investimet që do të bëhen nga drejtoritë gjatë vitit të ardhshëm.

Nga ana tjetër, qytetarët kanë adresuar çështje të ndryshme përfshirë, ndërtimin e trotuareve për të lehtësuar lëvizjen e fëmijëve për në shkollë, si dhe projekte të tjera.

Nehat Basha e Rexhep Kryeziu, propozuan asfaltimin e rrugës nga rrethrrotullimi në transitin e ri, tek kompleksi “TeA” për kyçje në Autostradë, duke thënë se kjo do ta shkarkonte në masë të madhe trafikun e ngulfatur në drejtim hyrje-daljes, tek pika e karburanteve ‘Arbëria”.

“Sivjet ka pasur një invazion në Prizren me automjete, andaj nevojitet shkarkimi i qytetit, tha Basha.

Fotografia e Komuna e Prizrenit

Për këtë çështje Haskuka, tha se komuna ka paraparë një projekt me dy korsi për rrugën që lidh transitin me autostradën, përmes “Barut’hanes”, por ka një deklarim se kjo do të bëhet nga ministria.

“Gjatë debateve nëpër fshatra kryesisht ka dalë nevoja e ndërtimit të trotuareve, pasi fëmijët rrezikohen duke shkuar në shkollë, por gjatë inspektimit sikur në Reçan kemi parë se shtëpitë janë shumë afër rrugës dhe s’ka hapësirë për trotuare”, ka thënë ai, përcjell “Gazeta e Prizrenit”.

Bejtullah Krasniqi, ka kërkuar sqarime rreth ndërtimit të shkollave sikur rasti i atyre në Ortakoll, ku janë ndërtuar dy objekte në një oborr, duke lënë në largësi disa banorë, sikur ata të rrugës tek te kompleksin ‘TeA’, pjesë kjo ku sipas tij duhet ndërtimi urgjent i një shkolle.

Kujtim Baraliu, ka kërkuar që komuna të parasheh mjetet për fasadimin e një banese kolektive, në zonën qendrore të qytetit, për shkak se pamja e saj shpesh bëhet shkak për fotografim nga turistët.

Pas marrjes së përgjigjes nga kryetari Haskuka, Baraliu  tha se është konfuz sa i përket debatit, duke shtuar se zyrtarët  “na paskan thirrë për të plotësuar normën”, meqenëse nuk po merren parasysh kërkesat.

Përfaqësues të Policisë së Kosovës, ndërkaq propozuan planifikimin e parkingjeve, qoftë edhe nëntokësore.

Fotografia e Komuna e Prizrenit

Haskuka bëri të ditur se në krahasim me këtë vit, për 2020-ën Prizreni do të ketë 7.32% rritje të buxhetit të përgjithshëm, duke përfshirë rritje prej 13.1% në kategorinë e pagave, 8.48% në kategorinë mallra dhe shërbime, si dhe 50% në kategorinë e subvencioneve./GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.