25-11-2024

Haxhiu i drejtohet Policisë dhe Prokurorisë: Keni prova, zbardheni vdekjen e Astrit Deharit

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka shkruar në shtatë vjetorin e vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Deharit.

Ajo thotë se “krimi ndaj Astrit Deharit, përfshinë një sërë veprimesh për të cilat ende askush nuk dha përgjegjësi”.

Haxhiu tregon se në burgun e Prizrenit, më 5 nëntor, Astrit Dehari u vra në rrethana të sqaruara nga ekspertë të mjekësisë ligjore dhe Raporti i Institutit Zviceran nga Lozana, por të pa sqaruara nga autoritetet e drejtësisë.

Ministrja i drejtohet Policisë dhe Prokurorisë, duke i thënë se “provat ekzistojnë”, andaj duhet zbardhur vdekja e Astrit Deharit.

“Siҫ dihet, një sërë anomalish institucionale vërehen menjëherë pas gjetjes së trupit të Astrit Deharit, që nga vonesa e ndihmës mjekësore, tek nxitimi i deklarimeve të Kryepolicit të rajonit të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, e po ashtu Kryeprokurorit i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha.

Njëri konstatonte se Astriti vdiq nga mbi doza e medikamenteve, kurse tjetri e cilësoi si vetëvrasje ende pa nisur asnjë hetim.

Hetime të ndryshme janë zhvilluar, sikurse edhe përpjekjet për ta fshehur këtë krim. Provat ekzistojnë dhe gjithçka që duhet është vullneti i policisë dhe prokurorisë për ta zbardhur deri në fund këtë rast.

Ministria e Drejtësisë ka bërë gjithçka që lejojnë kompetencat e saj. I mbetet institucioneve të drejtësisë të veprojnë dhe të sjellin rezultate ndaj këtij krimi ende të errësuar.

Drejtësia për Astritin duhet të ndodhë! Ajo nuk mund të vonohet më gjatë”, shkruan ministrja.

 

Asnjë koment

Comments are closed.