“Të hënën duhet të shkojmë ta zgjedhim Qeverinë. Angazhimet janë të mëdha. Besoj që nesër arrihet marrëveshja”, ka thënë Haziri për Mediafokus.info.
Express po ashtu ka raportuar se Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pritet të japë dorëheqje nga posti i tij, për t’i hapur rrugë formimit të koalicionit VV-LDK.
Partia e Albin Kurtit dhe subjekti që udhëhiqet nga Isa Mustafa sipas të gjitha gjasave do ta bëjnë qeverinë të hënën.
Më 3 shkurt, e hënë, është caktuar që të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës për votimin e qeverisë së re të vendit.
Kryesia e Kuvendit ka miratuar kërkesën për seancë, të bërë nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili është mandatar për formimin e kabinetit të ri qeverisës.
Kurti mori më 20 janar mandatin nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ndërsa kërkoi që Kuvendi të mblidhet një ditë para skadimit të afatit kushtetues prej 15 ditësh për formimin e qeverisë.
Kërkesa e tij u bë teksa ende nuk është arritur marrëveshja e pritur me LDK’në për formimin e qeverisë.
Dy partitë po negociojnë për të formuar koalicionin qeverisës pothuajse prej kur kanë përfunduar zgjedhjet e vjeshtës së kaluar.