07-06-2025

“Hedhnin zhavorr rrugës për t’i penguar policët”, si funksionin grupi i 18 të arrestuarve që dyshohen për krim ndaj ambientit

18 persona u arrestuan të mërkurën në Prizren pas një operacion madhor të Prokurorisë Themelore në Prizren.  Ata dyshohen për degradim të ambientit. Gjykata megjithatë ka vendosur që të mos i dërgojë paraburgim, por vetëm në arrest shtëpiak.

Insajderi ka raportuar ekskluzivisht listën me emrat e arrestuar nga operacioni që kishte synim goditjen e krimit kundër ambientit.

Personat e arrestuar në këtë aksion janë: Shpejtim Likaj, Miftar Likaj, Flamur Likaj, Armend Likaj, Hasan Kalimashi, Rifat Kalimashi, Fadil Gashi, Naser Elshani, Burim Krasniqi, Ilion Shala, Faton Kalimashi, Tahir Muharremi, Sead Duraku, Valon Duraku, Haxhi Elshani, Haki Salluka, Daut Muharremi, Xhemal Ukaj.

Si funksiononte grupi që dyshohen për krim ndaj ambientit?

Në dosjen e prokurorisë ndaj të dyshuarve që ka siguruar Insajderi, thuhet se ata kanë pasur vendosmëri për të shkatërruar ambientin.

Përreth lumit “Drini Bardhë” kanë bërë ndotjen, degradimin dhe shkatërrimin e tokës, përkatësisht të mjedisit dhe shfrytëzojnë jashtë mase burimet natyrore. Ata dyshohet se kanë eksploatuar, përpunuar dhe separuar rërë dhe zhavorr.


Madje, në dosje thuhet se kanë tentuar që edhe t’i pengojnë zyrtarët policor që kishin dal në vendngjarje për të hetuar rastin.

Të dyshuarit Falmur dhe Armend Likaj, kanë hedhur në rrugë zhavorr nga kamionetat e tyre me qëllim të zyrtarëve policor t`i pamundësohet që të kryejnë bastisje edhe në lokacione tjera.


“Të pandehurit Flamur Likaj dhe Armend Likaj, me dashje tentojnë si pengojnë personat zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare dhe atë zyrtarët policor, në atë mënyrë që, ditën kritike derisa zyrtarët policor ishin duke kryer kontrolla dhe bastisje në lokacionet si në këtë aktvendim, të pandehurit me dashje i hedhin në rrugë zhavorr nga kamionetat e tyre me qëllim të zyrtarëve policor t`i pamundësohet që të kryejnë bastisje edhe në lokacione tjera, ku më të njëjtit ndalet nga njësitë tjera policore dhe arrestohen- -me çka secili veç e veç ka kryer veprën penale pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare nga neni 401 par.5 lidhur me par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës nr.06/L-074”, thuhet në dosje.

Ilion Shala, Sead Duraku dhe Valon Duraku, Tahir Muharremi, Faton Kalimashi, në dosje thuhet se kanë lënë gropa të hapura, në vende ku mund të lëvizin një numër i madh i njerëzve, me ç’rast shkaktojnë rrezik të madh për trupin dhe jetën e njerëzve të cilët mund të lëvizin në atë territor.

“Sead Duraku dhe Valon Duraku, me qëllim të shkaktimit të rrezikut të madh për jetën e njerëzve apo dëmit të konsiderueshëm pasuror, veprojnë në kundërshtim me nenin 5 par.1.4 lidhur me nenin 37 të Ligjit Nr.03/L-163 për Minierat dhe Mineralet, si dhe në kundërshtim me nenin 4 të Ligjit Nr.04/L-158 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr.03/L-163 për Minierat me Mineralet, në atë mënyrë që pasi zyrtarët policor dalin në teren konstatojnë se rrjedhja e lumit është e shkatërruar nga nxjerrja e rërës dhe zhavorrit nga punimet e makinerive të rënda, duke lënë gropa të hapura, në vende ku mund të lëvizin një numër i madh i njerëzve, me ç’rast shkaktojnë rrezik të madh për trupin dhe jetën e njerëzve të cilët mund të lëvizin në atë territor”, thuhet aty.

Shpejtim Likaj, Miftar Likaj Armend Likaj dhe Flamur Likaj, të cilët bëjnë ndotjen, degradimin dhe shkatërrimin e tokës, përkatësisht të mjedisit dhe shfrytëzojnë jashtë mase burimet natyrore, në atë mënyrë që ushtrojnë aktivitete të jashtëligjshëm pa posedimin e lejes për aktivitete të veçanta minerale, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete, përvetësojnë duke eksploatuar, përpunuar dhe separuar rërë dhe zhavorr, me të cilat veprime krijojnë rrezik për ndotjen, degradimin dhe shkatërrimin e mjedisit, me ç’rast të dëmtuarës Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, i shkaktojnë dëme materiale dhe mjedisore.

Prokurori i shtetit ka vlerësuar se duke marrë se pandehurit tregojnë këmbëngulësi në kryerje të veprave penale dhe shkatërrimin e rrjedhës se lumit dhe se të pandehurit janë recidivist të veprave penale, ka vlerësuar se pandehurit po të lihen në liri ekziston rreziku i lartë potencial që të përsërisin veprat penale të kësaj natyre.

“Gjithashtu duke pas parasysh faktin se të pandehurit e lartpërmendur me veprimet e tyre, kanë arritur të shkatërrojnë rrjedhën e lumit nga nxjerrja e rërës dhe zhavorrit nga punimet e makinerive të rënda, duke lënë gropa të hapura, në vende ku mund të lëvizin një numër i madh i njerëzve, me ç’rast kanë shkaktuar rrezik të madh për trupin dhe jetën e njerëzve të cilët mund të lëvizin në atë territor.

Prandaj duke pas parasysh  të lartcekurat, vendosmërinë e vazhdueshëm të të pandehurve për shkatërrimin e mjedisit, pastaj duke pas parasysh personalitetin e të pandehurve të cilët janë recidivist të veprave penale të kësaj natyre por edhe të veprave penale të natyrave tjera, këto rrethana tregojnë se të pandehurit po të lihen në liri ekziston rreziku i lartë potencial që të përsërisin veprat penale të kësaj natyre, prandaj konsiderojmë se është plotësuar kushti ligjor që gjykata të pandehurve tia caktojë masën e paraburgimit nga kjo bazë”, shkruhet ndër të tjerash në dosje.

Por, me vendim të Gjykatës, ata janë lënë në arrest shtëpiak.

Kush janë kompanitë e përfshira?

Insajderi ka siguruar edhe emrat e kompanive që dyshohen se janë kapur në këtë krim.

Njësia për Hetimin e Krimeve Mjedisore ka kryer kontrolle në këto kompani:

-Në biznesin ABI Lika me Pronar Zenel Lika

Mbi biznesin – Seperacionin “Kalimashi 1” SH.P.K. pronë e të dyshuarit Hasan Kalimashi

Në bisnesin “Landovica –F” , në pyetje është marrë Rifat Kalimashi.

Në biznesin ”Dili Comerce” që gjendet në fshatin Landovicë të Komunës së Prizrenit, Procesverbali i marrjes në pyetje për të dyshuarin Fadil Gashi

Në bisnesin “Doni-Beton” që gjendet në fshatin Piranë të Komunës së Prizrenit. Procesverbali i marrjes në pyetje për të dyshuarin Naser Elshani.

Për kontrollin e zhvilluar në biznesin “Burimi-Beton”, procesverbali i marrjes në pyetje për të dyshuarin Burim Krasniqi

Në bisnesin “Unimont” që gjendet në fshatin Krushë e Vogël të Komunës së Prizrenit., procesverbali i marrjes në pyetje për të dyshuarin Ilion Shala.

Për kontrollin e zhvilluar në seperacionin “Dibrani” që gjendet në fshatin Krushë e Vogël me pronar Daut Muharremi.

Për kontrollin e zhvilluar në seperacionin “Drini Holding” që gjendet në fshatin Piranë me pronar Xhemajl Ukaj.

Operacioni u realizua në 14 lokacione

Në një konferencë për media, kryeprokurori i Prokurorisë së Prizrenit, Petrit Kryeziu, dje ka thënë se operacioni është realizuar në 14 lokacione.

“Janë sekuestruar 38 mjete pune të ndryshme, me një vlerë të përgjithshme rreth 2 milionë euro. Arrestimet janë kryer në zona të ndryshme, që shtrihen nga Krusha e Vogël deri në Landovicë”, tha Kryeziu.

Ai në një konferencë për media tha se aksioni ishte rezultat i një hetimi intensiv katërmujor.

“Kemi zhvilluar hetime ndaj personave që kanë degraduar mjedisin. Këta të pandehur kanë vepruar që nga viti 2016. Asnjë prej operatorëve ekonomikë nuk kanë pasur licenca për nxjerrjen e rërës dhe zhavorrit,” theksoi ai.

Kreu i organit të akuzës në Prizren theksoi përveç hetimeve të detajuara, janë përdorur edhe materiale filmike të mbledhura gjatë ditës dhe natës, të cilat besohet se do të shërbejnë si prova të forta për ndjekjen penale të të dyshuarve.

“Kemi marrë filmime ditën dhe natën, dhe besoj që kemi arritur të sigurojmë prova të mjaftueshme për t’i vendosur para drejtësisë,” deklaroi Kryeprokurori i Prizrenit para mediave.

Asnjë koment

Comments are closed.