25-11-2024

‘Hekri’ kapet në Shqipëri pasi u arratis nga Kosova, po mbahet në qendrën e ndalimit në Kukës

I arratisuri që dyshohet për shtytje vetëvrasje dhe për fajde lidhur me rastin tragjik të 37-vjeçarit, Ekrem Gashi, i njohur si ‘Hekri’ është arrestuar. Ndaj dy të dyshuarve që u arrestuan mbrëmë, Prokurori i Shtetit tashmë ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e tyre, ndërsa edhe i arrestuari i tretë pritet të procedohet, raporton Gazeta Sinjali.

Siç merr vesh Sinjali, Hekri nuk e shijoi lirinë gjatë, pasi ra në prangat e Policisë së Shtetit në Shqipëri dhe tashmë po mbahet në qendrën e ndalimit në Kukës.

Tre të dyshuarit po hetohen për dy vepra penale ‘Shtytja në vetëvrasje’ dhe ‘Fajdeja’”.

Aksioni për kapjen e tyre ka nisur qysh mbrëmë pasi policia siguroi prova, duke përfshirë letrën që la i vetëvrari, Bashkim Salihu dhe video incizimet nga biznesi i tij, detaje këto ekskluzive që i publikoi sot Sinjali.

Në vazhdën e veprimeve që janë marrë, zyrtarët policorë në koordinim me prokurorin dhe me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake kanë kryer bastisje në shtëpitë e të dyshuarve, ku janë sekuestruar disa dokumente.

Ndryshe, Sinjali qysh dje ka raportuar se 37-vjeçari nga Lipjani dyshohet se u vetëvra nga presioni i fajdexhinjve, informacione këto që pritet të konfirmohen gjatë procesit hetimor.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.