24-11-2024

Hekurudha kërkon lirimin e pronës, pasi rrezikohet linja Prizren – Klinë

E autorizuara e “INFRAKOS”, Flora Çekaj, të martën, gjatë seancës gjyqësore të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, ka kërkuar që gjykata të marrë vendim me të cilin do të largojë nga prona e saj, personin Sabir Gashi, i cili sipas saj, ka filluar të ndërtojë një objekt afarist-banesor.

Çekaj, gjatë kësaj seance përgatitore, ka deklaruar se i padituri, Sabir Gashi, ka filluar të ndërtojë një objekt të lartë në afërsi të pronës së paditëses, me ç ‘rast ka dëmtuar pronën dhe ka rrezikuar shtratin e linjës hekurudhore Prizren – Klinë, duke mos respektuar distancën e duhur nga binarët.

Sipas Çekajt, i padituri gjithashtu ka vendosur të gjitha makineritë dhe materialin ndërtimor në pronën e hekurudhës, duke mos marrë pëlqim paraprak për një gjë të tillë dhe duke kryer punimet mbi binarët hekurudhor.

Gjyqtari i rastit, Atdhe Berisha, sipas kërkesës së paditëses, ka caktuar të bëhet ekspertizë nga fusha e gjeodezisë, për të përcaktuar vendin e ndërtimit dhe nëse ndërtimi ka dalë jashtë lejes së ndërtimit duke kaluar në pronën ë paditëses.

Seanca e shqyrtimit kryesor do të mbahet më 13 gusht 2018, duke filluar nga ora 14:15.

Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të padisë së ushtruar nga “INFRAKOS” kundër të paditurit Sabir Gashi, me të cilën kërkojnë që gjykata ta obligojë të njëjtin që të lirojë pronën e paditëses të cilën e shfrytëzon për punë ndërtimore.

Me anë të kësaj padie, “INFRAKOS” kërkon që i padituri të obligohet për të ndërprerë të gjitha punimet ndërtimore në afërsi të binarëve hekurudhor dhe të kthejë pronën e hekurudhës në gjendjen e mëparshme duke larguar pajisjet dhe materialin ndërtimor nga binarët.

Po ashtu, kërkohet që gjykata të obligojë Komunën e Prizrenit, që të revokojë lejen e ndërtimit për objektin në fjalë, sepse sipas padisë, është lëshuar në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat e Kosovës.

Në këtë rast, gjykata, sipas kërkesës së paditëses, ka lëshuar një masë të përkohshme të sigurisë, me të cilën i padituri është i obliguar të ndërpres punimet ndërtimore, deri sa nuk vendoset në mënyrë meritore rreth padisë së paditëses./betimiperdrejtesi/

 

Asnjë koment

Comments are closed.