09-02-2026

Hetimet për falsi*fikim të votave në Dragash, ndalohen 9 persona

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, ka iniciuar hetime lidhur me procesin e rinumërimit të rezultateve të votimit në Qendrën Komunale të Numërimit në Dragash.

Sipas njoftimit, hetimet janë iniciuar me vetiniciativë, pas pranimit të informatave publike, me autorizim të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu.

Në kuadër të këtij hetimi janë intervistuar gjithsej 51 persona të dyshuar, ndërsa nëntë (9) prej tyre, pas intervistimit, janë ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit. Të ndaluarit janë kryesues të komisioneve dhe dyshohen për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”, sipas nenit 216, paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se, brenda afateve ligjore, do të vlerësojë parashtrimin e kërkesës për caktimin e masave për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.

Prokuroria dhe Policia e Kosovës kanë theksuar se mbeten të përkushtuara në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të drejtës së votës së qytetarëve, si dhe në luftën kundër veprave penale që cenojnë zgjedhjet e lira dhe demokratike, duke synuar forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që veprojnë në kundërshtim me ligjin./IO

Asnjë koment

Comments are closed.