12-04-2025

Hyn në fuqi Marrëveshja për njohjen e patentë shoferëve ndërmjet Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka bërë të ditur se sot nga Ministria e Punëve të Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe është njoftuar zyrtarisht përmes një Note Verbale, të dërguar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Abu Dhabi, se ka hyrë në fuqi Marrëveshja për njohjen reciproke të patentë shoferëve ndërmjet dy vendeve.

Në një komunikatë të lëshuar nga MPJD bëhet e ditur se kjo marrëveshje u mundëson qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe që të konvertojnë patentë shoferët e tyre pa pasur nevojë t’iu nënshtrohen provimeve teorike apo praktike në vendin pritës.

“Ajo përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt lehtësimit të lëvizjes dhe integrimit të qytetarëve të të dyja vendeve.

Ky zhvillim është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve përkatëse të të dyja shteteve dhe dëshmon për përkushtimin e ndërsjellë në forcimin dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale. Marrëveshja është nënshkruar më 4 dhjetor 2024 në Abu Dhabi, nga Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, z. Xhelal Sveçla, dhe Ministri i Punëve të Brendshme i Emirateve të Bashkuara Arabe, H.H. Sheikh Saif bin Zayed Al Nahyan.”, është thënë në njoftimin e MPJD-së.

Asnjë koment

Comments are closed.