Hysni Hoxha përjashtohet nga seanca gjyqësore, për rastin e njohur “KEK 2”
Ish-kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha është përjashtuar nga seanca gjyqësore që po mbahet për rastin e njohur “KEK 2”, ku së bashku më të, lidhur me dyshimet për keqpërdorime në rastin e tenderit për sigurinë fizike në KEK, po akuzohen edhe ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ish-drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Arben Gjukaj dhe katër të akuzuar tjerë.
Vendimi i tillë u mor nga kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, me arsyetimin se Hoxha nuk e ka respektuar autoritetin e gjykatës.
Gjykatësi Kalludra deklaroi se, pas dhënies së mbrojtjes, me rastin e ndërprerjes së seancës për një pauzë të shkurtër, i akuzuari Hoxha ka kërkuar nga trupi gjykues leje për të liruar sallën e gjykimit për pak minuta, për arsye personale, por i njëjti më pas nuk është kthyer.
Në këto rrethana, gjykatësi Kalludra mori aktvendim për përjashtimin e tij nga seanca e shqyrtimit të së hënës deri në fund të përfundimit të kësaj seance, siç u tha, për shkak të mos respektimit të autoritetit të gjykatës.
Me këtë rast, gjykatësi ka kërkuar bashkëpunëtorit në gjykatë që t’i thuhet policisë që nuk i lejohet hyrja.
Për këtë ka reaguar mbrojtësi i Hoxhë-s, avokati Sahit Bibaj, i cili deklaroi se klienti i tij nuk është mirë me shëndet.
“Ju lutem me shëndet nuk është mirë, ndoshta ka dal me pi ujë apo diçka e tillë”, ka thënë avokati Bibaj.
Ndryshe, gjykimi është duke vazhduar, ku i akuzuari Azem Duraku është duke dhënë mbrojtjen e tij.
“Betimi për Drejtësi” po vazhdon ta monitorojë seancën, për çka do të raportojë në vazhdimësi.
Ndryshe, sipas aktakuzës, në tenderin e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) përfshihen tashmë ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj dhe pesë të akuzuar të tjerë.
Shtatë të pandehurit, akuzohen për tenderin milionësh për sigurimin fizik të objekteve të KEK-ut. Në këtë proces gjyqësor, Sami Lushtaku është i ngarkuar me veprën penale “shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”, Arben Gjukaj e Hysni Hoxha, akuzohen për “keqpërdorim i pozitës zyrtare ose të autorizimit”, Esat Tahiri dhe Milazim Lushtaku në bashkëkryerje akuzohen për “mashtrim” dhe “falsifikimit të dokumenteve’’, Driton Pruthi për veprat penale “keqpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit” dhe “lidhje e kontratës së dëmshme” dhe i pandehuri i fundit, Azem Duraku për veprën penale “shtytje për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose të autorizimit”.
Prokuroria pretendon se sjellja e paligjshme e të pandehurve të lartcekur, ka rezultuar me dhënien e kontratës kompanisë së sigurimit “Security Code”, e cila ka ofertuar si pjesë e konsorciumit me kompaninë “ËDG”. Kontrata në fjalë ishte për periudhën dy vjeçare, në shumë prej 6, 182, 609.76 euro, shumë kjo për të cilën pretendohet se është dëmtuar KEK-u./Betimipërdrejtësi