I akuzuari mohon se ushtroi dhunë në ditën kur i vdiq bashkëshortja nga lëndimet në kokë, shpinë e duar
I akuzuari Ilir Haxhiaj e ka mohuar se e ka rrahur bashkëshorten e tij, H.D. e cila kishte vdekur në QKUK në gusht të 2019-ës pas dëmtimeve në kokë, fytyrë, gjoks, shpinë dhe duar.
Deklarimi i të akuzuarit Haxhijaj ka ndodhur të premten, në Gjykatën Themelore në Prizren. Ai ishte shpallur fajtor në gjykimin e parë dhe ishte dënuar me 15 vite burgim mirëpo rasti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata Supreme.
Haxhiaj po akuzohet se pas mosmarrëveshjeve të mëhershme me bashkëshorten e tij, teksa kishte qenë duke vozitur veturën, kishte ndalur makinën, kishte nxjerr nga vetura me forcë të ndjerën dhe kishte filluar ta sulmojë fizikisht duke e grushtuar në të gjitha pjesët e trupit dhe pasi e ndjera ishte rrëzuar në asfalt të rrugës, ia ka kapur kokën dhe disa herë e ka goditur për asfalti, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, në seancë është bërë shikimi i video-incizimit me pamjet e veturës ku në anën e majtë prapa vozitësit shihet një person e që akuzuari Haxhiaj tha se është e bashkëshortja, tani e ndjera H.D
Gjithashtu, është bërë shikimi i fotografive ku shihet automjeti “Suzuki” të cilën e kishte vozitur ditën kritike i akuzuari Haxhiaj.
Seanca ka vazhduar me deklarimin e të akuzuarit Haxhijaj, ku ka thënë se qëndron pranë deklaratave të mëhershme.
Haxhiaj ka treguar se ditën kritike mosmarrëveshja kishte filluar në shtëpinë e tyre dhe se për të zgjidhur problemet mes tyre ai kishte marrë për ta dërguar tek familja e saj në Rahovec.
I njëjti ka treguar se këtë e kishte bërë pa ushtruar dhunë dhe pa e prekur të ndjerën.
Të ndjerën H.D, Haxhiaj tha se nuk e kishte parë kur ka dalë nga vetura, por vetëm e kishte vërejtur derën e hapur dhe të njëjtën të shtrirë në asfalt.
Tutje, ai tha se i kishte dhënë ndihmën e parë e që në ato momente nuk ka vërejtur që ka ndonjë lëndim dhe se e ndjera nuk kishte qenë e vetëdijshme.
Ai ka thënë se vozitësi i kamionit i cili i kishte ofruar ndihmë që ta fusë të ndjerën në veturë, kamionin e kishte të ndalur pas veturës së tij diku rreth 70 metra.
Në fund, i akuzuari Haxhiaj ka thënë se gjatë qëndrimit në veturë e ndjera ka lëvizur vazhdimisht.
Ai ka shtuar se kërkon që të deklarohet në seancë personi i cili në prokurori kishte deklaruar kinse i njëjti kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Seanca e radhës për këtë rast është caktuar të mbahet më 11 janar 2023.
Ndryshe, Haxhiaj ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prizren në shkurt të vitit 2021 dhe ndaj tij ishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 vitesh.
Mirëpo Gjykata Supreme sipas kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë të avokatit mbrojtës, rastin e ka kthyer në rigjykim.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të ngritur më 30 gusht 2019, Ilir Haxhiaj akuzohet se më 31 maj 2019, rreth orës 17:30 minuta, duke drejtuar veturën “Suzuki” Ëagon R+ në rrugën “Gusia” në dalje të fshatit Samadraxhë, ku ishte me bashkëshorten e tij, të ndjerën H. D., e ulur mbrapa me të cilën për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme janë fjalosur, e pastaj i akuzuari Ilir Haxhiaj e ka ndalur makinën në anën e djathtë të rrugës dhe e ka nxjerr nga vetura me forcë të ndjerën.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Haxhiaj pasi kanë dalur jashtë nga vetura, ka filluar ta sulmojë fizikisht bashkëshorten e tij, të ndjerën H. D., duke e grushtuar në të gjitha pjesët e trupit e cila pastaj është rrëzuar në asfalt të rrugës, ia ka kapur kokën dhe disa herë e ka goditur për asfalti ku i pëson thyerje të kockës zverkore, gjakderdhje masive në cipat e buta trunore dhe në vertikuj.
Si pasojë e dëmtimeve në kokë, fytyrë, gjoks, shpinë dhe duar, H. D., kishte vdekur në QKUK në Prishtinë.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.