25-11-2024

I akuzuari për vrasje lirohet gabimisht nga burgu

Një burrë i akuzuar për vrasje në vitin 2018 është liruar gabimisht para kohe nga burgu “Rikers Island” në Nju-Jork, SHBA.

Christopher Buggs, 26 vjeç, u arrestua tre vjet më parë i akuzuar për vrasje. Gjatë një seance të zhvilluar online më 16 shkurt, avokati i tij kërkoi që Buggs të lirohej duke paguar dëmshpërblim, diçka që gjykatësi e refuzoi.

Buggs reagoi duke bërtitur dhe duke ofenduar gjyqtarin, i cili e dënoi me 30 ditë burg për këtë veprim. Por në përfundim të këtij afati, ai u lirua pasi kreu 2/3-at e dënimit, me sa duket duke harruar që ai gjithashtu akuzohej për një vrasje.

Të martën, policia e Nju-Jorkut bëri një kërkesë publike për informacione për të ndihmuar në gjetjen e vendndodhjes së Buggs. Kryetari i Bashkisë së Nju-Jorkut, Bill de Blasio, tha të mërkurën se ka nisur një hetim i plotë për këtë incident, duke shprehur gjithashtu besimin se Buggs do të arrestohej shumë shpejt.

Nuk është hera e parë që në këtë burg persona të ndryshëm lirohen gabimisht. Në vitin 2014, “New York Daily News” raportoi se 23 të dënuar ishin liruar gabimisht në periudhën 2009-2014. Shumica e tyre u riarrestuan pak ditë më vonë, por pati edhe nga ata që qëndruan në arrati për 2 vite. Në vitin 2019, këshilli bashkiak i Nju-Jorkut votoi për të mbyllur burgun “Rikers Island” në vitin 2026./A2CNN

Asnjë koment

Comments are closed.