28-11-2024

I dënuari për keqpërdorim detyre, kryetar i Komisionit për Ankesa në Komunën e Prizrenit

Kryetar i Komisionit për Ankesa, në kuadër të Komunës së Prizrenit është Avni Ademaj, i cili ka pasur probleme me ligjin, pasi është dënuar për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës dhe autoritetit zyrtar, të vërtetuar nga Gjykata e Apelit, në shtator të vitit 2020.

Disa nga kandidatët për drejtorë shkollash, thanë se ishin habitur kur në vendimet e tyre refuzuese pas ankimimit, kishin parë emrin dhe nënshkrimin e Ademajt, të cilin ata e dinin si të dënuar, raporton Gazeta e Prizrenit.

Profesori Nahit Thaçi, tha se fillimisht është habitur kur ka marrë një mesazh me gabime, përmes të cilit njoftohej për përgjigjen ndaj ankesës për kundër Komisionit intervistues dhe parregullsive gjatë intervistimit  për gjimnazin “Gjon Buzuku”.

“i nderuar Nait Thaqi..ju njoftojm se përgjigjen ne anekesen tuaj mund ta terhini ne kk prizren kati pare”, ishte shkruar aty.

“Në Komunë më adresuan te Avni Ademaj, si kryetar Komisioni. Ai është i dënuar për vepër penale: të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Absurd po ashtu është se shqyrtimi i Ankesave të kandidatëve për drejtorë shkollash nga ana e tij, nuk mund të jetë objektiv, sepse ka qenë i njëanshëm ngase edhe politikisht i përket të njëjtit subjekt politik”, tha Thaçi.

Sipas tij, po ashtu është absurde që pjesë e Komisionit është edhe Idriz Kryeziu, zyrtar ligjor në DKA, kur dihet se ankesa ishte bërë ndaj komisionit të DKA-së, pra është konflikt interesi.

Madje Ademaj i ftonte aplikantët që përgjigjet t’i marrin jo në Komunë, por në Qendrën për Punës Sociale, kur ishte nëpunës. Jehona Krasniqi, tha se për këtë është habitur pasi ankesën e ka bërë në Komunë, ku edhe është adresa e Komisionit.

Një tjetër ankues, që preferoi të mos identifikohet, shtroi pyetjen nëse mund të merret valide refuzimi ndaj ankesës nga një Komision, të cilit i prin një nëpunës i dënuar për keqpërdorim detyre?

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Ndryshe, në shtator të vitit 2020, Gjykata e Apelit pati vërtetuar dënimin e shqiptuar nga Gjykata e Gjilanit më 2018, për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës dhe autoritetit zyrtar, në rastin ku bënte pjesë edhe ish-kryetari Ramadan Muja dhe disa zyrtarë tjerë komunal.

Portali e ka pyetur Ademajn nëse ka ndonjë vendim tjetër eventual në këtë rast, por ai nuk ofruar asgjë.

Avni Ademaj, ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës, u dënua me 5 muaj burgim me kusht që për 1 vit të mos shkaktojë vepra tjera penale. /Gazeta e Prizrenit/

Asnjë koment

Comments are closed.