21-01-2026

I dyshuari për vra*sjen e nënës në Restelicë, dy dënime me kusht e trajtim të detyrueshëm psikiatrik

Prizren- Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se F.B., i cili dyshohet se në orët e para të së mërkurës (21 janar 2026) vrau nënën e tij në Restelicë të Dragashit, ishte i dënuar tri herë për “Dhunë në familje” dhe “Lëndim të lehtë trupor”.

Sipas Prokurorisë, i pandeuhuri F.B., i cili kishte probleme mendore, dyshohet se ka privuar nga jeta nënën e tij T.B., duke ushtruar dhunë fizike ndaj saj, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në të trija rastet e trajtuara në Degën në Dragash, i pandehuri ishte dënuar me kusht- por në të fundit i ishte zëvendësuar dënimi me gjobë. Në dy rastet e para, atij i ishte shqiptuar edhe masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik.

Sipas Gjykatës, në rastin e parë, më 15 korrik 2022, i pandehuri ishte shpallur fajtor për “Lëndim të lehtë trupor” dhe i ishte shqiptuar dënim me burgim prej gjashtë muajsh, i cili nuk do të ekzekutohej nëse brenda dy vjetësh nuk kryente vepër tjetër penale.

Në rastin e dytë, më 22 gusht 2022, F.B., u dënua po ashtu me gjashtë muaj burgim me kusht për “Dhunë në familje”, me kusht që nuk do të kryente vepër tjetër penale në periudhë prej një viti. Edhe me këtë vendim, atij i ishte shqiptuar masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri, deri në përmirësim të gjendjes mendore të tij. Masa do të zbatohej nga Qendra për Shëndetin Mendor në Prizren, duke i raportuar gjykatës çdo tre muaj për gjendjen e tij.

Ndërkaq, në rastin e tretë, më 17 tetor 2024, F.B., ishte shpallur fajtor për “Lëndim të lehtë trupor”. Atij iu shqiptua dënim me 6 muaj burgim me kusht, i cili me pëlqimin e të akuzuarit iu zëvendësua me gjobë në shumën prej 2 mijë euro, ku do t’i llogaritej koha e kaluar në paraburgim nga 30 qershori deri më 25 shtator 2024. Shuma e mbetur prej 260 euro (nga ajo që i ishte llogaritur në masën e paraburgimit), do të paguhej pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë

Asnjë koment

Comments are closed.