I mbijetuari i masakrës së Suharekës me postim emocionues: Ne jemi dëshmia e asaj që ndodhi
Sot janë bërë 24 vjet nga masakra në familjen Berisha nga Suhareka.
Forcat policore dhe ushtarake serbe, kanë shtënë me armë zjarri drejt 50 anëtarëve të kësaj familje.
Nga kjo masakër kishin mbijetuar tre anëtarë të familjes, Vjollca Berisha me të birin, Gramozin dhe Shyhrete Berisha.
I mbijetuari i kësaj masakre, Gramoz Berisha ka thënë se ata janë dëshmia e asaj që ndodhi, e të vërtetës së gjenocidit serb mbi Kosovën.
Dhe këtë, ai ka thënë se nuk do ta ndryshoj askush asnjëherë, as me marrëveshje, as me raporte fallce dhe as me gjykata të improvizuara.
Postimi i plotë i Gramoz Berishës:
12 muaj prej tash do të shënojmë një çerek shekulli nga dita e tmerrit, nga dita kur babi, motra e vëllau ikën. Unë e mami mbijetuam. Jo vetem ata të tre por ikën edhe 46 familjarë tanë. Mbijetuam, une mami dhe gruaja e axhës tonë Shyhretja.
Nuk do të mjaftoj një çerek shekulli e as një shekull i terë për të shpjeguar mungesën e tyre dhe deshminë tonë.
Ne jemi dëshmia e asaj që ndodhi, e të vërtetës së gjenocidit serb mbi Kosovën. Dhe këtë nuk do ta ndryshoj askush asnjëherë, as me marreveshje, as me raporte fallce, as me gjykata të improvizuara.
Ne jemi e vërteta, e Kosovës që i ka mbijetuar gjenocidit, do t’i mbijetoj dhe seciles stuhi.