04-09-2025

I përcillte informacione BIA-s, Prokuroria Speciale ngre aktakuzë për spiunazh ndaj ish-zyrtares së OSBE-së

Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër ish-zyrtares së OSBE-së për veprën penale “Spiunazh”, e cila ishte arrestuar në mars të këtij viti.

J.GJ. akuzohet se nga data e pacaktuar, e deri në momentin e arrestimit më 28.02.2025, në cilësinë e zyrtares të Misionit të OSBE-së në Kosovë, me vetëdije dhe me dashje ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për veprimtarinë informative të një shërbimi të huaj, konkretisht të Agjencisë për Inteligjencë dhe Siguri të Republikës së Serbisë.

“E pandehura, e cila mbante pozitën “Zyrtare e Programit Kombëtar” në Qendrën Rajonale të OSBE-së në Regjionin e Mitrovicës, akuzohet se ka siguruar dhe shpërndarë dokumente dhe informacione të ndjeshme për interes të BIA-s. Këto veprime, sipas Prokurorisë, kanë cenuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës, si dhe kanë vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve dhe personelit ndërkombëtar të OSBE-së në Kosovë”, thuhet në njoftim

Asnjë koment

Comments are closed.