I vërtetohet dënimi me 4 vjet burg të akuzuarit për djegien e garazhit të gazetarit Selimi
Gjykata Themelore në Prishtinë më 15 shkurt 2024 e kishte dënuar të akuzuarin Limani me katër vjet burgim për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Kundër këtij aktgjykimi, ankesë kishte paraqitur përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Kujtim Kërveshi, për shkak të vendimit mbi dënimin, me propozim që aktgjykimi i ankimuar të ndryshohet dhe të akuzuarit t’i shqiptohet dënim më i ashpër.
Kurse, mbrojtësi i Limanit, avokati Fanol Krasniqi, kishte parashtruar ankesë për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së Ligjit Penal dhe vendimit mbi dënimin, me propozimin që aktgjykimi i ankimuar të anulohet dhe çështja të kthehet në rigjykim.
Por shkalla e dytë, përmes aktgjykimit të përpiluar më 11 dhjetor 2024, gjeti se ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit nuk është e bazuar, kurse ajo e palës së dëmtuar është e palejuar.
Sa i përket pretendimeve ankimore përkitazi me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, Apeli gjeti se pretendimet e mbrojtjes së të akuzuarit nuk qëndrojnë dhe se nuk ka shkelje të cilat do të kushtëzonin anulimin e aktgjykimit të ankimuar.
Sipas Apelit, dispozitivi i aktgjykimit është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret, si dhe është në përputhshmëri të plotë me arsyetimin. Aty thuhet se në dispozitiv të aktgjykimit të ankimuar janë përshkruar veprimet inkriminuese të të akuzuarit dhe se në mënyrë të argumentuar vërtetohet se i akuzuari Limani ia ka vënë zjarrin derës së garazhit të të dëmtuarit, duke ia dëmtuar automjetin e të dëmtuarës që gjendej i parkuar afër garazhit.
“Prandaj, në rastin konkret janë përshkruar veprimet- inkriminuese që përbëjnë elementet objektive dhe subjektive të veprës penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 par.1 të KPRK-së, duke përfshirë këtu, pastaj, edhe motivin e kryerjes së veprës penale, pra, arsyerat përse, i akuzuari i ka vënë zjarrin garazhës së të dëmtuarit, pra, bëhet fjalë për një përgatitje të shishes me benzinë, ku, më pastaj, të njëjtën e ka vënë në derën e garazhës së të dëmtuarit dhe atë pasi e kishte ndezur shishen në fjalë dhe po ashtu, në kornizën e dritares kishte shkruar fjalët ‘mos ha m** shumë’, fjalë këto që kanë të bëjnë me punën e të dëmtuarit si gazetar…”, thuhet në vendim.
Në vendimin e Apelit, thuhet se edhe deklaratat e të dëmtuarve, kanë vërtetuar faktet dhe rrethanat e lartpërmendura. Po ashtu, edhe nga provat materiale në shkresa të lëndës, thuhet se është vërtetuar se i akuzuari në ditën kritike ka ndërmarrë veprime inkriminuese në drejtim të veprës penale për të cilën është shpallur fajtor. Kurse, se si është bërë identifikimi i të akuzuarit, vërtetohet edhe nga fotografitë në vendin e ngjarjes.
Në aktgjykimin e Apelit, thuhet se edhe i dëmtuari Selimi ka vërtetuar faktet dhe rrethanat se si ka biseduar me tani të akuzuarin për një artikull të tij, që e ka shkruar kohë më parë si gazetar, e nga dëshmitari Rexhep Selimi vërtetohet se si ka ardhur deri tek djegia e garazhit.
Apeli vlerëson se edhe i akuzuari para Prokurorisë kishte pranuar veprimet inkriminuese të përshkruara si në dispozitiv përkitazi me vënien e zjarrit në garazh, mirëpo nuk ishte pajtuar me kualifikimin juridik të veprës penale, pra vrasjes në tentativë, njëjtë ka vepruar edhe në shqyrtim gjyqësor, por duke mohuar se nuk ka qenë qëllimi që t’i lëndojë apo t’i privojë nga jeta të dëmtuarit.
Gjithnjë sipas Apelit, nuk qëndrojnë pretendimet e mbrojtjes se shkalla e parë aktgjykimin e ka mbështetur edhe në provat që nuk janë proceduar fare në shqyrtim gjyqësor dhe as ato që nuk janë marrë parasysh propozimet e mbrojtësit. Sipas Apelit, nuk ka pasur propozime konkrete përkitazi me elementet e veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, për të cilën i akuzuari është shpallur fajtor pas ricilësimit të veprës penale.
“… ajo ka bërë analizën e të gjitha provave të proceduara gjatë shqyrtimit gjyqësor dhe lidhur me to ka paraqitur konkludimet e veta, të cilat si të drejta, objektive dhe të ligjshme i aprovon edhe kjo gjykatë, që do të thotë se, me të drejtë ka konstatuar gjykata e shkallës së parë, se bëhet fjalë për veprën penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356, par.1 të KPRK-së, të kryer me dashje direkte e jo sikur që pretendon mbrojtësi i të akuzuarit, se mund të flitet për vepër penale tjetër”, thuhet në vendimin e Apelit.