Ibrahimovic kritikon kampionatin anglez
I rikthyer në modë mes emrave të diksutueshëm në merkaton e futbollit, Zlatan Ibrahimovic e ka treguar se nuk është tipi i lojtarit që pëlqen ta mbyllë karrierën në heshtje, edhe kur është larg Kontinentit të Vjetër.
“Premier League më ka pëlqyer pasi është stimuluese dhe argëtuese, por nga ana e kualitetit, nga pikëpamja e cilësive individuale, është pak e mbivlerësuar. Në këtë kampionat, edhe nëse je më i miri, nuk do të kesh sukses po nuk mbajte ritmin”, tha sulmuesi suedez.
Arrogant si gjithmonë, por unik në përgjigjet e tij, “Ibracadabra” nuk i zhgënjeu tifozët as këtë herë: “Futbolli anglez kishte fatin që nuk vajta për të luajtur atje 10 vjet më parë. Nëse bëra atë që u pa në moshën 35 vjeç, imagjinoni se çfarë mund të kisha bërë në moshën 25-vjeçare. Shkruanin se do të përfundoja në karrige me rrota, por ishte e kundërta”.
Në një vit e gjysmë me Manchester United, ai shënoi 28 gola në 48 ndeshje, duke fituar një Kupë Lige dhe një Europa League./Top Channel