24-11-2024

IKD: Mbi 99 mijë lëndë civile të pazgjidhura, kohëzgjatja e zgjidhjes së rasteve deri në 4 vjet

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), të mërkurën mbajti konferencë për medie në të cilën u shfaq raporti me titull “Drejtësia civile 2022”.

Gzimi Shala nga IKD, tha se përderisa në vitin 2021 kanë qenë gjithsej 85 087 lëndë të pazgjidhura të cilat janë bartur në vitin pasues, viti 2022 ka shënuar rekord të ngritjes së numrit të lëndëve të pazgjidhura me 99 mijë e 407 lëndë.
Sipas tij, ngritjes së numrit të lëndëve të pazgjidhura përveç ngritjes së numrit të lëndëve të pranuara, i ka kontribuar edhe mos efikasiteti i gjykatësve e edhe shpërndarja jo-proporcionale e gjykatësve.

“Kjo pasi numri i gjykatësve për të trajtuar lëndë kontestimore gjatë vitit 2022 ka qenë 107, derisa numri i lëndëve të zgjidhura ka qenë 25 632. Kjo i bie se secili gjykatës në mesatare brenda një viti ka zgjidhur 239.5 lëndë përkundër detyrimit nga KGJK që çdonjëri prej tyre është i obliguar t’i zgjidh 329 lëndë brenda vitit”.

Sipas tij, mos zbatimi i Kontratave Kolektive është arsyeja kryesore e ngritjes së numrit të lëndëve civile të pranuara nga gjyqësori.

“Në vitin 2022 janë pranuar 40 826 lëndë të natyrës civile e që mendohet se rreth 40% e lëndëve të pranuara, janë lëndë të kësaj natyre. Kjo i bie se vetëm gjatë vitit 2022, konsiderohet se rreth 16,330 lëndë civile janë lëndë të cilat rrjedhin nga kontestet që ndërlidhen me moszbatimin e obligimeve nga kontratat kolektive”.

Aurela Milaku, hulumtuese në IKD, tha se gjykata me e ngarkuar është ajo e Prishtinës e ajo më pak e ajo e Mitrovicës.

“Ky raport është rezultat i drejtpërdrejtë. Arsyeja më e madhe e këtyre seancave është mungesa e të paditurit me gjithsej. Nëse e analizojmë si trend numri i seancave të shtyra ka pasur rënie këtë vit. Kjo situatë nënkupton se në fushën e administrimit adekuat kërkohet ende përmirësimin”.

“Në raportin mbi drejtësinë civile IKD gjeti se ka një numër të madh të rasteve të pazgjidhura. Numri i lëndëve të pazgjidhura tashmë është dyfishuar, duke rënduar gjendjen e divizioneve civile. Sipas të dhënave të KGjK-së, gjykata më e ngarkuar me lëndë është ajo e Prishtinës me një total prej 32 mijë e 453 lëndë e ajo më pak e ngarkuar e Mitrovicës, dega Zubin Potok me gjithsej 39 lëndë në punë”.

Nuraje Bllaca, hulumtuese në IKD, tha se mesatarja e përgjithshme e kohëzgjatjes së lëndëve gjyqësore qartazi flet për një trajtim të lëndëve gjyqësore civile brenda një afati jo të arsyeshëm kohor.

“Mesatarja e kohëzgjatjes së lëndëve të zgjidhura vetëm në shkallë të parë është 1 415 ditë apo 3.8 vite kurse, mesatarja e kohëzgjatjes së trajtimit të lëndëve nga Gjykata e Apelit është 638 ditë apo 1.7 vite”.

Aty u tha se gjatë monitorimit, IKD ka gjetur se në përgjithësi, ka mungesë të zbatimit të Ligjit Nr.05/L-021 për Mbrojtje nga Diskriminimi, pasi që përkundër faktit se në padi të ndryshme ngritët pretendimi për diskriminim, paditë nuk ngritën në bazë të këtij ligji, me kërkesën për të konstatuar ekzistimin e ndonjë prej formave të diskriminimit.

Po ashtu, mungesa e padive, krahas indikatorëve të tjerë, flet për nivel jo të mjaftueshëm të zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve. Për këtë arsye promovimi i mëtutjemë i këtij ligji mbetet një domosdoshmëri e institucioneve. Lidhur me trajtimin e rasteve pronësore, bazuar në analizën e 20 aktgjykimeve, del se mesatarja e kohëzgjatjes së trajtimit të lëndëve lidhur me çështjet pronësore në shkallë të parë është 9 vite e 3 muaj, kurse mesatarja e trajtimit të lëndëve që rrjedhin nga kontratat kolektive del të jetë 1 vit e 7 muaj, e që ky dallim kaq i lartë tregon se në vitin 2022 ka pasur anashkalim të kontesteve pronësore dhe fokusim në raste të kontratave kolektive.

Sa i përket ndërmjetësimit si mënyrë alternative e zgjidhjes së kontesteve, IKD gjen se viti 2022 ka një trend të theksuar pozitiv, kjo pasi që gjatë këtij viti gjykatat në këtë procedurë kanë referuar gjithsej 4,269 raste.

Ky raport është rezultat i monitorimit të drejtpërdrejtë që Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) i ka bërë drejtësisë civile në Kosovë. Gjatë vitit 2022, IKD ka monitoruar gjithsej 492 seanca gjyqësore të natyrës civile. Prej tyre, 401 seanca janë mbajtur, derisa 91 të tjera janë shtyrë. Shprehur në përqindje, i bie se 81.5% e seancave gjyqësore civile janë mbajtur kurse 18.5% e tyre janë shtyrë.

Asnjë koment

Comments are closed.