25-11-2024

In Memoriam: Profesori Arsim Fehmiu-ikona e sportit të Kosovës dhe shqiptarisë

Dje në moshën 91 vjeçare iku në amshim profesori Arsim Fehmiu.
I ndjeri ishte një nga themeluesit e Fakultetit të Kulturës Fizike në Universitetin e Prishtinës, i cili ndër vite punoi dhe kontribuoi në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave në fushën e sportit. Mësues, arsimtar dhe profesor i cili dha shumë në zhvillimin e sportit të Kosovës dhe jo vetëm.

Në një postim në “facebook”, veprimtari nga Prizreni, Bedri Çejku e ka përshkruar angazhimin e tij, të cilin po e botojmë pa ndërhyrje:

NA IKU EDHE IKONA E SPORTIT TĒ KOSOVËS DHE SHQIPTARIS,LAMTUMIRË PROFESORI, PEDAGOGU, TRAJNERI,KOMISARI DHE ANËTARI I SHUMË INSTITUCIONEVE MË TË LARTA SPORTIVE
– Sot në moshën 91 vjeqare ndërroi jetë profesori ynë shumë i qmuar ,i rrespektuar dhe i nderuar i shumë gjeneratave në lëmin e edukimit fizik e sportit .
– Jemi krenar dhe patëm nderin të kemi një personalitet me vlera aq të larta kombëtare,profesionale dhe akademike siq ishte Prof. Arsim Ibrahim FEHMIU gjatë studimeve.
B I O G R A F I A E PROFESORIT ARSIM IBRAHIM FEHMIU
Prof. Arsim Fehmiu u lind në Sarajevë më 03.06.1932, ku jetonin prindërit e tij për shkaqe politike.
Është pinjoll i një familje të njohur patriotike,intelektuale e arsimdashëse, e afirmuar si bartëse e traditave kombëtare, liridashëse dhe kontributdhënëse e zhvillimit të kulturës në përgjithësi, e në veçanti të arsimit shqip në Kosovë e më gjerë.
Kryefamiljarët e familjes Fehmiu ishin z. Ibrahim Fehmiu dhe zonja Hedije Xërxa – Fehmiu. Babai i tij z. Ibrahim Fehmiu (1892-1951), ishte atdhetar i paepur dhe mësues i devotshëm. Ishte shtyllë e fortë e qëndresës, e vetëdijes kombëtare dhe e flakjes së paditurisë. Një jetë të tërë ia fali arsimit shqip dhe kauzës sonë kombëtare. Kjo figurë e shquar e arsimit shqip u lind më 25 Nëntor 1892, në Gjakovë, kurse ndërroi jetë më 18 dhjetor, e u varros më 19 dhjetor 1951 në Prizren.
Bashkëshortja e tij fisnike e besnike, Hedije Xërxa – Fehmiu, arkivolin e tij e mbuloi me flamurin kombëtar, duke vendosur mbi të edhe plisin e bardhë me flamurin kuq e zi të qëndisur me ar. Zonja Hedije me këtë veprim mbajti besën e dhënë në ditën kur ata u martuan në vitin 1924 në Gjakovë.
Pushteti serb, varrimin madhështor të Ibrahim Fehmiut, e vlerësoi si “Demonstratë” me të vdekur.
I ndjeri Ibrahim la pas vetes një kapital të madh njerëzor e kombëtar për kombin tonë: bashkëshorten e tij fisnike e heroike, Hedijen, me tetë fëmijë.
Zonja Hedije Xërxa – Fehmiu, u lind në vitin 1908 në Gjakovë, e ndërroi jetë më 22 shtator 1984 në Prishtinë. U varros pranë z. Ibrahim Fehmiu në Prizren. Kështu, tetë fëmijët e tyre e plotësuan dëshirën e saj që të varrosej pranë babait të tyre.
Kryefamiljarët e familjes Fehmiu, trashëgimtarët e tyre i kishin pagëzuar me emra domethënës dhe tipik shqiptarë: Besë, Shpresë, Bashkim, Arsim, Fatmir, Bekim, Afërditë dhe Luljetë. Profesor Arsimi, ishte i katërti me radhë.
2. Shkollimi:
• Shkollimin fillor e nisi në Sarajevë dhe e vazhdoi në Shkodër e Prizren, ku e kreu klasën e pestë. Pastaj, i vazhdoi mësimet në gjimnazin e Prizrenit, ku në vitin 1947 i kreu katër klasë të progjimnazit dhe semimaturën. Shkollën normale e kreu në Gjakovë në vitin 1949. Pas normales, në vitin shkollor 1949/50 hospitoi Shkollën e Mesme të Fizkulturës në Zemun – Beograd, ku u aftësua edhe si mësues i fizkulturës.
• Në Institutin Shtetëror të Fizkulturës – DIF u regjistrua në vitin shkollor 1952/53 në Beograd, të cilin e kreu në vitin 1957.
• Pasi më parë kreu studimet pasuniversitare e mbrojti punimin e magjistraturës në Shkup, pastaj e dorëzoi edhe disertacionin e doktoratës në Fakultetin e Kulturës Fizike të UB në Beograd.
2. Kualifikimet profesionale:
• Mësues (1949); Mësues i fizkulturës (1950); Mësues i notit (1958); Mësues i skijimit (1959); Trajner Superior i Futbollit (1963);
• Trajner i Sporteve: Atletikë, Basketboll, Volejboll, Hendboll, Not dhe Ski (pranë Shkollës Federative të Trajnerëve në Beograd),1961-1963;
• Profesor i Shkollës së Lartë Pedagogjike – Dega e Edukatës Fizike pranë UP në Prishtinë, për lëndët: Atletikë, Lojërat sportive: Futboll, Basketboll, Volejboll dhe Hendboll, Lojërat Elementare, Not dhe Teoria e Kulturës Fizike (1967-1980);
• Profesor i Fakultetit të Kulturës Fizike të Universitetit në Prishtinë, për lëndët: Basketboll e Futboll (1979-1991);
• Në fushimet verore ka udhëhequr notin dhe fushimet dimërore – lëndët Ski (1968-1991), afro 25 vjet.
3. Specializimet:
Prof. Arsim Fehmiu është marrë me shumë sporte, si nxënës, student, arsimtar e ushtar). Pas përfundimit të studimeve në vitin 1957 filloi punën në shkolla profesionale: në Shkollën e Mesme të Fizkulturës dhe në Shkollën Normale të Prishtinës (1957-1960). Orientimi i tij ishte që të aftësohet akoma më tepër profesionalisht dhe të specializohet për disa lëmi të sportit, ekskluzivisht në ato degë ku kishte nota të larta. Ai filloi aftësimin profesional në sportin e notit në vitin 1958.
Në verën e vitit 1958 hospitoi Shkollën Verore Republikane të Notit, e cila u mbajt në Sisevc-Qypri (Krahina e Timokut) në Serbi. Aty mori titullin – mësues specialist i notit dhe pastaj në vitin 1959, në Brezovicë, ku fitoi titullin e mësuesit të sportit Ski.
Në vitin 1961 filloi specializimin në Shkollën Federative të Trajnerëve Sportiv në Beograd, të cilin e kreu në vitin 1963. Pas specializimit mori këto thirrje: Trajner superior i futbollit dhe Trajner i sporteve: atletikë, basketboll, not dhe ski (1961-1963).
Në vitin 1965, pranë Fakultetit të Kulturës Fizike të Universitetit të Zagrebit fitoi titullin e Specialistit të futbollit për punë me kategori të reja.
4. Funksionet në arsim dhe sport
4.1 Kosovë
• Nëntor 1950 – Fror 1951, Drejtor dhe Arsimtar i parë – themelues i Progjimnazit – Kijevë – rrethi i Rahovecit
• Shtator 1968-1970, Shef i Degës së Edukatës Fizike e Shëndetësore pranë SHLP-së në Prishtinë;
• Tetor 1977-1979, Zëvendës Drejtor i SHLP-së të UP në Prishtinë;
• Tetor 1981-1983, Dekan i Fakultetit të Kulturës Fizike të UP në Prishtinë.
4.4 Rijekë, Istër – Kroaci
Tetor 1963 – gusht 1966, Sekretar i Shoqatës së Trajnerëve të Lidhjes Futbollistike të Rijekës.
Anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Sportit Shkollor në Rijekë.
Anëtar i Këshillit Profesional të Qendrës për Aftësimin e Kuadrit Profesional të Sporteve në Rijekë – Kroaci.
4.5 Prishtinë – Kosovë
Shtator 1966 – Shtator 1968, anëtar i Kryesisë së SHPKF të Kosovës në Prishtinë;
Tetor 1968 – 1970, Kryetar i SHPKF të Prishtinës në Prishtinë,
Nga viti 1968-1972, përfaqësues i Kosovës në Këshillin Profesional të Komitetit Olimpik të ish-Jugosllavisë në Beograd;
Nga viti 1968-1972, përfaqësues i Kosovës – anëtar i Këshillit Profesional të LF të Serbisë në Beograd;
Nga viti 1966-1970, përfaqësues i Kosovës, anëtar i Këshillit Profesional të LFJ në Beograd;
Nga viti 1968-1972, është emëruar Nënkryetar i Lidhjes së Organizatave të Kulturës Fizike – LOKF të UP në Prishtinë.
Komisar i Federatës së Futbollit të Kosovës 1994-1998, në Prishtinë;
Kryetar i Komisionit: Akademia Olimpike e Kosovës “ACOK” 2006 – 2016.
Kryetar i Këshillit Organizativ për themelimin e Shoqatës së Pedagogëve të Kulturës Fizike dhe sportit shkollor të Republikës së Kosovës, shtator 2008 – mars 2009.
5. Funksionet: Trajner-Selektor
5.2 Kosovë-Serbi-Kroaci-Jugosllavi
Trajner i KF “Tekstilci” – Prishtinë, 1957;
Trajner i Klubit Hendbollistik “Normalisti” – Prishtinë, 1957-1960;
Trajner – Bashkëpunëtor i selektorit Miljan Miljaniq, 1962-1970, në fushimet dimërore dhe verore me Juniorët e klubeve futbollistike krahinore, republikane dhe federative, të organizuara nga Lidhja Futbollistike e Jugosllavisë. Në Makarska (Janar-Shkurt 1963), Beograd – Koshutnjak (Qershor-Korrik 1963); Fushimi dimëror në Makarska (Janar-Shkurt 1964), Beograd-Koshutnjak (Qershor-Korrik 1964) dhe në fushimin dimëror në Makarska (Janar-Shkurt 1965).
Trajner i KF “BOR” Borski Rudnik 1963. Me bashkëpunëtorë Spasojeviq Dragutin dhe Zirojevic Danilo, të gjithë me DIF – profesorë të kulturës fizike dhe Shkollën Federative të trajnerëve – trajnerë superiorë, të gjitha të kryera në Beograd.
Trajner superior i KF “Rijeka” Rijekë. Themelues i Shkollës së Futbollit NK “Rijeka” në bashkëpunim me Shefin e Shtabit Profesional z. Stojan Osojnak – trajner superior, ekonomist i diplomuar. Udhëheqës i Shkollës së Futbollit të NK “Rijeka” Rijekë, 1963-1966.
Trajner dhe selektor i reprezentacionit të juniorëve të zonës Rijeka-Pula-Istër-Kroaci, 1963-1966.
Trajner dhe selektor i Lidhjes Futbollistike të Kosovës 1966-1970. I emëruar nga Kryetari i Lidhjes Futbollistike të Kosovës, z. Rexhai Surroi.
Kryetar i Këshillit Profesional të KF Prishtina, 1974-1977, i emëruar nga z. Ramadan Vraniqi.
Shef i Shtabit Profesional i KF “Flamurtari” Prishtinë, 1977/78, me bashkëpunëtorë: Prof. dhe trajner i kategorisë “A” Jashar Peci dhe trajnerët Fehmi Prapashtica e Halil Sadiku.
Shef i Shtabit Profesional të KF “Ballkan” Suharekë (Therandë), 1980./81. me bashkëpunëtorë – trajnerët e kategorisë “A”, Ahmet Elshani dhe Gafurr Kabashi.
Shef i Shtabit Profesional i KF “Borac” Ferizaj, 1981-1983, me Bashkëpunëtor Ismet Shabani, Trajner i Lartë dhe Xhemajl Xheladini, Trajner i kategorisë ‘A’.
KF “Shkëndija” Lugar, 1993/94, Prishtinë. Shef dhe koordinator i punës me Profesor – trajner Sali Krasniqin.
Trajner e selektor i Reprezentacionit: të Futbollit të Shkollës së Lartë Pedagogjike, të Fakultetit të Kulturës Fizike dhe Reprezentacionit të Universitetit të Prishtinës në Prishtinë, 1968-1987.
6. Pjesëmarrës në manifestime, aktivitete dhe gara përkatëse sportive
6.1 Pjesëmarrës në Revistat e Kulturës Fizike, garat sportive, Gjimnastrada, Universiada, Lojërat Mesdhetare, Kampionatet Evropiane, Botërore dhe Lojërat Olimpike (nga viti 1948-1991), në: Prishtinë, Prizren, Beograd, Rijekë, Zagreb, Split, Varazhdin, Borovo, Vjenë (Austri), Mynih (Gjermani), Moskë (BRSS);
Në manifestimet e përmendura ka marrë pjesë në cilësinë e garistit sportiv, udhëheqës i ekipit, grupit të ushtruesve, ekipit të sportit përkatës si profesor e trajner dhe selektor i pavarur.
6. 2 Pjesëmarrës në Universiadat e Universitetit të Prishtinës, 6 Universitetet e Serbisë dhe 19 Universiteteve të Jugosllavisë nga viti 1968-1987: në Beograd, Prishtinë, Pulë, në Serbi, Nish e Novi Sad.
6. 3. Pjesëmarrës në seminare profesionale e shkencore, kongrese të kulturës fizike, simpoziume, udhëtime studiuese, vizita zyrtare, si individ, si anëtar dhe si udhëheqës i ndonjë delegacioni në vend: Slloveni, Kroaci, B e H, Vojvodinë, Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi. Jashtë vendit – shtete të jashtme: Greqi (1954), Itali (1965), Austri (1965), Gjermani (1966), Çekosllovaki (1968), Rumani (1969), BRSS: Rusi, Ukrainë dhe Bjellorusi (1969), Shqipëri (1972, 1980, 1996) dhe SHBA (1996).
6. 4. Për punë shumëvjeçare për zhvillimin e Kulturës Fizike në përgjithësi e në veçanti të Edukatës Fizike dhe Sportit Shkollor, Universitar, Sportit Rekreativ të punëtorëve, Sportit amator e profesional në Kosovë e Kroaci.
8. Shpërblimet dhe mirënjohjet:
8.1 Është shpërblyer me Çertifikatën e Federatës Shqiptare të Fultbolllit, Nëndor 2006, Tiranë.
8.2 Është shpërblyer nga Grupi KOHA për vepër jetësore me 21 dhjetor 2011; nga Komuna e Prishtinës me Mirënjohje më 11 qershor 2012; nga Fakulteti i Kulturës Fizike (FKF) të Universitetit të Prishtinë me Mirënjohje më 13 maj 2013, dhe nga Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK-u) me mirënjohje më 23 qershor 2013, dhe 22 tetor 2015.
8.3 Është shpërblyer edhe nga Federata e Hendbollit e Kosovës, më 30 janar 2014 dhe me Mirënjohje të Federatës së Futbollit të Kosovës, në janar 2016.
Prishtinë, 7 mars 2016
– (Është publikuar në monografinë : Zenun REXHEPI, Shkolla Normale e Prishtinës – Gjenerata e viteve 1954-1959, “VALTON”, Prishtinë, 2015, fq. 41-51)
– Në vitin 2021 e themeloj edhe FEDERATËN E VETERANËVE TË KULTURËS FIZIKE TË SPORTIT SHKOLLOR.
– TË QOFTË I LEHTË DHEU I KOSOVËS.
– I PÊRJETSHĒM QOFTË KUJTIMI PËR JU…
Mund të jetë një imazh i 2 persona

Asnjë koment

Comments are closed.